Ismet Krasniqi zgjedhet president i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës

Ismet Krasniqi është zgjedhur president i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës, në Asamblenë e 8-të Zgjedhore të mbajtur mbrëmë në Hotel Emerald në Prishtinë.

Krasniqi ftoi me 53 vota, kundrejt dy kundërkandidatëve të tij, Besim Hasanit, që mori 41 vota dhe Linda Shala 11 sosh.

Krasniqi, që është kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, ndërsa kandidaturën e kishte marrë nga Federata e Atletikës së Kosovës, pas marrjes së postit të presidentit iu drejtua asambleistëve, duke i falënderuar për besimin e marrë.


“Nga zemra ju falënderoj për përkrahjen që ma keni dhënë mundësinë për 4 vjet. Vota juaj do të mbetet gjithmonë e juaja. Këtu vetëm një humbës është, ai jam unë, sepse unë do të sakrifikojë për ju. Fituesi më i madh jeni ju dhe sporti i Kosovës. Fitoren ia dedikoj vëllait tim. Faleminderit të gjithëve për besimin”, – tha presidenti Krasniqi.

Atë e uroi tashmë ish-presidenti Besim Hasani, duke e pranuar rezultatin me sportivitet. Hasani, që kandidaturën e kishte marrë nga Federata e Kërlingut të Kosovës, në të cilën është kryetar, drejtoi Komitetin Olimpik të Kosovës prej vitit 1996.

“Ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur për më shumë se dy dekada. Normalisht shumë ka ndryshuar, por e kemi avansuar sportin deri në një nivel, i cili ka respekt nga komuniteti ndërkombëtar. Uroj që Ismet Krasniqi, si president i ri, ta shtyjë këtë proces më tutje. Është fitore e merituar dhe e pranoj si të tillë. E pranoj me plotë sportivitet”, theksoi Hasani.

Pas zgjedhjeve për president të ri, me vota të fshehura u votua edhe për katër pozitat e nënpresidentëve.

Nënpresident i parë u zgjodh Gazmend Maxhuni nga triatloni, i cili mori 58 vota, nënpresident i dytë, Milaim Kelmendi nga skitaria, me 49 vota, nënpresidente e tretë u zgjodh Mimoza Shkodra Bislimi nga volejbolli dhe i katërt, Eugen Saraqini nga hendbolli. Shkodra Bislimi dhe Saraqini morën nga 38 vota, ndërsa me short u vendos se cilit duhet t’i takojë pozita e nënpresidentit të tretë.

Më pas u kompletua edhe Bordi i ri Ekzekutiv. Gjashtë anëtarët tjerë të BE të KOK-ut me vota u zgjodhën: Shqipe Bajçinca-Brestovci, Avni Nuha, Bujar Turjaka,  Vjollca Krasniqi, Agron Mala dhe Besire Domaniku.

Presidenti Krasniqi shfrytëzoi të drejtën për të propozuar tre anëtarë tjerë, duke përfshirë Musa Selimin, Jeton Beqirin dhe Halil Sylejmanin, të cilët u votuan me aklamacion.

Nga Komisioni i Sportistëve, në Bord u emërua Musa Hajdari, pasi Majlinda Kelmendi u tërhoq nga gara me arsyetimin se ka obligime me garat që e presin.

Asambleistët me aklamacion votuan edhe Këshillin e Arbitrazhit Sportiv dhe Këshillin Mbikëqyrës.

Auditor për Ciklin Olimpik 2021 – 2024 u zgjodh kompania “Balluku & Zhavelli”, e cila sipas Komisionit dhe Bordit Ekzekutiv të kaluar, kishte pasur ofertën më të lirë.

Iu urojmë suksese Bordit të ri Ekzekutiv të KOK-ut, për Ciklin Olimpik 2021-2024.