HISTORIKE: Kosova, organizatore e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

Po. Është zyrtare. Kosovës i besohet organizimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.


Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), ka votuar pro kandidaturës Prishtina 2030.


55 vota pro, 8 kundër dhe tri vota të pavlefshme ishte bilanci i fitores së madhe të Kosovës, ku delegatët e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe nënpresidenti, Milaim Kelmendi, nuk kishin të drejtë vote, sikurse delegatët e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, presidenti Fidel Ylli dhe sekretari i përgjithshëm, Gerti Shima.



Shqipëria do të jetë bashkëorganizatore, pasi sporti i lundrimit do të zhvillohet në bregdetin shqiptar.


Pavarësisht se Kosova ishte kandidatja e vetme, procesi nuk ishte aspak i lehtë, marrë parasysh kundërshtimin e madh të Serbisë, delegati i së cilës kërkonte të hidhej në votim shtyrja e zgjedhjes së vendit mikpritës deri pas Lojërave Olimpike Paris 2024, propozim që sipas drejtuesve të ICMG-së është në kundërshtim me statutin e ICMG-së, pasi një propozim i tillë për ndryshim të rendit të ditës do të duhej të vinte muaj më parë.


Paraprakisht, një tjetër sfidë ishte ndryshimet në statut, të cilat ua mundësuan edhe vendeve pa bregdet të organizojnë Lojërat Mesdhetare, që njëherit ia hapi rrugën pikës së fundit të rendit të ditës, e ku ishte kandidatura Prishtina 2030.


Në Asamble, të mbajtur në Heraklion të Greqisë, të pranishëm ishin edhe udhëheqësit e shtetit me kryeministrin Albin Kurti, ministrat Hajrullah Çeku (MKRS), Hekuran Murati (MF), Elbert Krasniqi (MAPL), kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtuesit e KOK-ut, si dhe drejtori i BKT Kosova, Suat Bakkal.


Kryeministri Kurti, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ai i KOKSH-it, Fidel Ylli, në fjalën e tyre folën për rëndësinë që ka një organizim i tillë për zhvillimin e sportit tonë dhe përfitimet të cilat do t’i fitonte shteti ynë. Pas fitores, ata e quajtën arritje të jashtëzakonshme për shtetin tonë.


Sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, bëri një prezantim se si do të dukeshin këto Lojëra në Kosovë, ndërsa opinion tejet pozitiv dha edhe udhëheqësi i komisionit vlerësues të ICMG-së, të cilët vizituan vendin tonë në muajin korrik 2023.


Pas deklarimit të fitores, u nënshkrua edhe kontrata mes drejtuesve të ICMG-së, KOK-ut, Prishtinës dhe ministrive përkatëse.


Prishtina u bë qyteti i parë jo bregdetar që do të organizojë Lojërat Mesdhetare.