Në prani të mysafirëve të ndryshëm, është hapur ekspozita “Mbijetesa e Sportit të Kosovës 1991-1999”, me autor, doajenin e gazetarisë sportivë, Gani Kosumi.
Në ekspozitë u shfaqën dhjetëra fotografi të shkrepura nga Kosumi gjatë periudhës së izolimit kosovar, me të cilat tregoheshin sfidat nëpër të cilat ka kaluar sporti dhe sportistët tanë.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, deklaroi se fotografitë e Ganiut janë aseti më i ndritshëm i sportit tonë, duke shtuar se historia nëpër të cilën kemi kaluar duhet të kujtohet nga brezat e rinj, sepse vetëm duke kujtuar të kaluarën, ndërtojmë të ardhmen tonë të sportit dhe jo vetëm.
Autori Kosumi foli për sfidat e mëdha që ka pasur gjatë karrierës së tij në gazetarinë sportive, duke veçuar periudhën e viteve 90-ta.
Të pranishëm ishin edhe nënpresidenti i KOK-ut, Milaim Kelmendi, anëtarët e BE, Halil Sylejmani e Besire Domaniku, stafi i KOK-ut, etj.
Punën dhe përkushtimin e tij e vlerësoi lartë edhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, si dhe figura tjera të sportit, të pranishme në hapje.
Ekspozita qëndron e hapur deri nesër (e mërkurë).












