Me garimin e sotëm të notares Hana Beiqi dhe atletes Gresa Bakraçi, ekipi ynë olimpik ka mbyllur garat në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Dy medalje të fituara, një vend i pestë dhe dy të nënta është bilanci i suksesit të ekipit tonë.

Xhudistet Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu u ngjitën në podiumin olimpik. Krasniqi fitoi të argjendtën në kategorinë -52 kg, ndërsa Fazliu të bronztën në kategorinë -63 kg.

Shumë afër medaljes ishte edhe xhudisti Akil Gjakova, të cilit nuk i priu fati në kategorinë -73 kg. Ai arriti në gjysmëfinale, por në fund mbeti jashtë podiumit, duke përfunduar në vendin e pestë.

Me nga një fitore dhe me vedin e nëntë, garat i mbyllën edhe xhudistja Loriana Kuka (-78 kg) dhe boksierja Donjeta Sadiku (-60 kg).

Kampionia olimpike Tokio 2020, Nora Gjakova, shkaku i lëndimit të pësuar në fillim të vitit, u ndalë në raundin e parë të kategorisë -57 kg.
Notari Adell Shaboviq doli i 58-ti nga 79 garues në disiplinën e 100 metrave stil i lirë, ndërsa Hana Beiqi përfundoi e 43-ta prej 79 garueseve në 50 metra stil i lirë.

Atletja Gresa Bakraçi garoi dje dhe sot në 800 metra vrapim. Dje doli e 49-ta, ndërsa në raundin e dytë të quajtur repasazh, ku garoi me atletet e pakualifikuara për në gjysmëfinale, u diskualifikua, pasi sipas gjyqtarëve kishte dalë nga korsia e saj.
Kosova në total u paraqit me nëntë sportistë dhe fitimi i dy medaljeve është sukses i jashtëzakonshëm për vendin tonë, që tashmë numëron pesë medalje në vetëm pjesëmarrje në Lojërat Olimpike.
Padyshim, mirënjohje pafund shkojnë për Federatën e Xhudos së Kosovës, konkretisht kryemjeshtrin Driton Kuka, i cili ka fituar të gjitha këto medalje me xhudistet e tij.

Për medaljet e radhës, shihemi në Los Anxhelos 2028.