Ekipi olimpik i Kosovës ka përfunduar garimin në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj “Bakuriani 2025”, që prej 9 – 16 shkurt u mbajt në Bakuriani të Gjeorgjisë.
Ekipi ynë u përfaqësua me skitarët Klara Sefaj dhe Andi Pupovci, të cilët garuan në disiplinat e skijimit alpin, sllallom dhe sllallom të madh. Të dy bartën edhe flamurin tonë në ceremoninë hapëse, ndërsa Klara në ceremoninë mbyllëse.

Në sllallom të madh, Pupovci u rendit i 64-ti nga 92 garues, 28 prej të cilëve dolën nga shtegu. Në të njëjtën disiplinë, Sefaj doli e 49-ta prej 75 garuesve, 24 prej të cilëve nuk e përfunduan njërin nga dy lëshimet.
Në sllallom, të dy garuesit ishin të pafat, duke dalë nga shtegu. Pjesë e ekipit ishine dhe trajnerët, Ernest Sefaj dhe Naser Dedija.
Garat nga afër i ndjekën edhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe nënkryetari i FSK-së, Bujar Turjaka.




