Distria Krasniqi e Akil Gjakova, Laureatët e Vitit 2023

Xhudistët Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova kanë fituar çmimet kryesore në edicionin e tetë të ceremonisë Laureatët 2023.


Krasniqi u shpall “Sportistja e Vitit”, ndërsa Gjakova “Sportisti i Vitit”. Të dy fituan për herë të katërt çmimet e më të mirëve.


“Jemi në vitin olimpik dhe po përgatitemi shumë për LO Paris dhe shpresoj të kemi paraqitje të mirë, ashtu siç e kishim në Tokio 2020”, theksoi Krasniqi, duke falënderuar trajnerin Driton Kuka për punën dhe përkushtimin ndaj saj.



Çmimin Distrias ia ndau presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, ndërsa Gjakovës sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe presidenti i KOKSh-it, Fidel Ylli.



“Është një ndjenjë e veçantë. Vitin 2023 e cilësoj si ndër vitet më të mira në karrierë, përfshirë kampionatin e hapur evropian. Unë bashkë me ekipin do të mundohemi që me përkushtim dhe punë ta ngritim Kosovën këtë vit sërish në piedestalin më të lart olimpik”, u shpreh Gjakova.


Për herë të tetë epiteti i trajnerët të vitit i takoi kryemjeshtrit të xhudos, Driton Kuka, çmim që iu nda nga nënpresidentët Milaim Kelmendi e Mimoza Shkodra Bislimi. “Jemi në përgatitje për Lojërat Olimpike, ku këtë vit po bëhen katër Olimpiada, një për shtetin amë (Shqipërinë) dhe tri për Kosovën. Viti 2023 më solli ndjenjë ndryshe për shkak të Kampionatin të Hapur Evropian, pasi ishte më e vështirë të ulem në karrigen e finales së Akilit se sa në finalet olimpike”, tha Kuka.


Çmimet për “Shpresat Olimpike” shkuan për mundësen, Lonisa Reka, tek vajzat dhe taekëondistin, Bleron Ademi, tek djemtë.



Kombëtarja e Vitit tek femrat u vlerësua ajo e futbollit për seniore, ndërsa tek djemtë, ajo e tenisit, po ashtu seniore. “Çmimi Special – BKT Kosova” shkoi për klubin FC Ballkani.




KOK nderoi për “Arritje të Veçantë” edhe kombëtaren e karatesë, vajzat, të cilat në disiplinën ekipore fituan medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror.


Për “Kontribut të veçantë” në promovimin e sportit dhe vlerave olimpike, edhe këtë vit nderuam gazetarët sportivë që kanë dalë në pension dhe këtë herë në podium u ngjit gazetari i mirënjohur, Gani Kosumi. Me mirënjohjet “Post-Mortem”, të cilat i ndamë për herë të parë për gazetarët sportivë, nderuam doajenët të cilët nuk janë më në mesin tonë, Agim Binaku dhe Milaim Krasniqi.


Në fjalën hyrëse të ceremonisë së mbajtur në Klan Arena dhe të transmetuar drejtpërdrejt në RTK, presidenti Krasniqi foli për sukseset e vitit të kaluar, me theks të veçantë marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, medaljet e fituara, mbështetjen e fuqishme të KOK-ut dhe synimet për vitin 2024, ku në vëmendja janë Lojërat Olimpike Paris 2024.


Presidenti i KOKSh-it, Fidel Ylli, foli për bashkëpunimin e mirë që ka me Kosovën, sportistët, të cilët janë ambasadorët më të mirë të të dyja vendeve dhe të mirat e të dyja shteteve në rregullimin e infrastrukturës ligjore.


Në emër të MKRS-së, foli drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, i cili u përqendrua tek mbështetja e ministrisë për sportin.


I pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevski, ambasadorë të shteteve të huaja në Kosovë, drejtues federatash, ish-sportistë etj.


Laureatët 2023

Sportistja e VititDistria Krasniqi (xhudo)
Sportisti i VititAkil Gjakova (xhudo)
Trajneri i VititDriton Kuka (xhudo)
Kombëtarja e Vitit (F)Futbolli (senioret)
Kombëtarja e Vitit (M)Tenisi (seniorët)
Çmimi Special – BKT KosovaFC Ballkani
Shpresa Olimpike (F)Lonisa Reka
Shpresa Olimpike (M)Bleron Ademi

Jashtë konkurrencës

Arritje e veçantëKarate (femrat)
Kontribut të veçantëGani Kosumi
Post-MortemAgim Binaku
Post-MortemMilaim Krasniqi