Xhudistët, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova janë zgjedhur laureatët e vitit 2024, në edicionin e 9-të të ceremonisë së laureatëve 2024, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Krasniqi u shpall Sportstja e Vitit, ndërsa Gjakova, Sportisti i Vitit. Të dy fituan çmimet për herë të pestë. Për Distrian, që gjatë vitit të kaluar fitoi medaljen e argjendtë olimpike dhe u bë kampione e Evropës, ishte e pesta radhazi. Gjakova gjatë vitit të kaluar zuri vendin e pestë në LO Paris 2024.
“Çdo medalje në Lojërat Olimpike e ka vlerën e artë. Unë jam krenare që kam arritur t’i fitojë dy medalje”, tha Krasniqi mes tjerash.
I lumtur me arritjen ishte edhe Gjakova, i cili u shpreh krenar me arritjet e deritashme, duke thënë se rezultatet kanë ardhur nga puna dhe përkushtimi i madh ndër vite.
Për herë të nëntë radhazi epiteti i trajnerit të vitit shkoi për Driton Kukën e xhudos.
Edhe këtë herë u ndanë dy Çmime Speciale, në të dyja konkurrencat. Tek meshkujt u zgjodh futbollisti Edon Zhegrova, ndërsa tek vajzat, xhudistja Laura Fazliu.
Djemtë e futbollit u zgjodhën Kombëtarja e vitit tek meshkujt, ndërsa tek vajzat Kombëtarja e hendbollit.
Dy çmimet tjera, ato për “Shpresat Olimpike” shkuan për Sidorela Dodaj nga xhudo dhe Yll Kastratin nga basketbolli.
KOK edhe këtë herë vazhdoi traditën e nderimit të doajenëve të gazetarisë sportive, të cilët kanë dhënë kontribut të veçantë në sport.
Këtë herë u nderuar Lulëzim Shala nga RTK, i cili javë më parë doli në pension, si dhe Dëfrim Methasani, për kontributin e tij në mbështetje të sportit gjithë shqiptar, me theks të veçantë atij në Kosovë.
Në fjalën hyrëse presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, foli për arritjet e vitit 2024, me theks të veçantë medaljet olimpike në Paris 2024, vizitën e Thomas Bachut, dhe sukseset tjera, duke lartësuar arritjet e sportistëve.
Të pranishëm në ceremoni krahas drejtuesve të federatave sportisve dhe komunitetit të sportit, ishin edhe përfaqësuesit diplomatikë të 11 shteteve mike të Kosovës.




























