Xhudistët Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova kanë fituar çmimet kryesore në ceremoninë e Laureatëve të Vitit 2021, të organizuar të enjten mbrëma në Hotel Emerald në Prishtinë.
Kampionia olimpike, Krasniqi, u shpall “Sportistja e Vitit”, ndërsa kampioni i Evropës, Gjakova, “Sportisti i Vitit”.
Krasniqit, çmimin ia ndau presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, nënpresidenti Gazmend Maxhuni dhe zëvendësministrja Daulina Osmani, ndërsa Gjakovës, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe nënpresidenti, Milaim Kelmendi.
I lumtur me çmimin u shpreh edhe Gjakova. “Është hera e tretë që fitoj këtë çmim dhe padyshim se jam i lumtur. Shpresoj që bashkë me trajnerin tim t’i arrijmë synimet e mia”, shtoi ai.
“Shpresoj që një vit si 2021 të përsëritet. I uroj të gjithë sportistët për një vit pa lëndime dhe që t’i arrijnë synimet e veta”, ka thënë Krasniqi.
Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e quajti 2021-tën vitin më të suksesshëm në histori të sportit kosovar.
“Sot jemi mbledhur këtu për të kremtuar arritjet në sportin tone gjatë vitit që kemi lënë pas, arritje këto te cilave do t’ua kishin lakmi shume shtete tjera të fuqishme. Kulmi i sukseseve ishin Lojërat Olimpike Tokio 2020, dhe vetëm te dytat për vendin tonë. Me vetëm 11 sportistë, prej tyre vetëm gjashte me norme Olimpike, ekipi ynë fitoi dy medalje Olimpike, te dyja të arta dhe të dyja nga sporti ynë më i suksesshëm, xhudo”, tha mes tjerash i pari i KOK-ut, duke përmendur edhe sukseset e sporteve tjera.
Zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani, vlerësoi lart të arriturat e sportit kosovar, me theks të veçantë medaljet e arta olimpike të fituara në Tokio 2020.
I pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, i cili në fjalën e tij tha se me suksesin e kampioneve olimpike u krenua gjithë populli shqiptar.
Përmes një video mesazhi ceremoninë e përshëndeti edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Evropës, Spyros Capralos, i cili vlerësoi lartë të arriturat e KOK-ut, duke thënë se mbështetja e bërë për sportistët ka rezultuar edhe me sukseset në Lojërat Olimpike.
Sa i përket çmimeve tjera, trajnerit Driton Kuka i takoi për herë të gjashtë radhazi çmimi “Trajneri i Vitit”. “Viti më i suksesshëm i sportit shqiptar, sportit të Kosovës. Është kënaqësi që KOK-u e ka përkrahur xhudon në vazhdimësi”, tha mes tjerash Kuka, që sukseset ia dedioi vëllait të tij, kryetarit të Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.
Me çmimin për “Merita të Veçanta” për kontributin e dhënë gjatë karrierës së saj, u nderua kampionia olimpike Rio 2016, Majlinda Kelmendi.
“Çmimin Special” për femra e mori kampionia olimpike, xhudistja Nora Gjakova, ndërsa për meshkuj ky çmim shkoi për futbollistin Amir Rrahmani.
Hendbollit i takoi çmimi për “Kombëtaren e Vitit” tek meshkujt, ndërsa Kombëtares U-17 i takoi për femrat.
“Shpresa Olimpike” për meshkuj u zgjodh atleti Muhamet Ramadani, kurse për femrat xhudistja Erza Muminoviq.
Në fund të ceremonisë, Kompania turistike Globus nderoi sportistët e vitit me dy shpërblime “Voucher”.
Të pranishëm, krahas përfaqësuesve të federatave sportive, ishin edhe sportistë, ish-sportistë eminentë, ambasadorë të shteteve të huaja, përfaqësues të komunave, sponsorë të KOK-ut, të cilët patën rastin të ndajnë çmime bashkë me anëtarët e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut dhe mysafirë të tjerë.
LAUREATËT 2021
Distria Krasniqi – Sportistja e Vitit
Akil Gjakova – Sportisti i Vitit
Driton Kuka – Trajneri i Vitit
Hendbolli – Kombëtarja e Vitit (M)
Futbolli U-17 – Kombëtarja e Vitit (F)
Nora Gjakova – Çmimi Special (F)
Amir Rrahmani – Çmimi Special (M)
Muhamet Ramadani – Shpresa Olimpike (M)
Erza Muminoviq – Shpresa Olimpike (F)
Majlinda Kelmendi – Çmimi për “Merita të Veçanta”