Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, ka qenë panelist në forumin botëror të Federatës Ndërkombëtare të Sportit Universitar (FISU), që sot nisi në Zagreb të Kroacisë dhe që po organizohet nga Federata e Sportit Akademik të Kroacisë.
Aliti ishte në një panel me figura të shquara, të cilat kanë lënë gjurmë në sportin kroat dhe botëror, si Nikolina Brnjac, anëtare e Parlamentit Evropian dhe ish-ministre e Turizmit dhe Sportit në Kroaci, kampioni i tre-fishtë olimpik në roving, Martin Sinkoviq dhe ish-ylli i NBA, Damjan Rudezh.
Palelistët diskutuan për diplomacinë, marrëdhëniet globale, impaktin e sportit në imazhin e një shteti dhe rëndësinë që ka inkurajimi i sportistëve për t’u bërë studentë.
Sekretari Aliti shfrytëzoi mundësinë për të pasqyruar sukseset e sportit të Kosovës, me theks të veçantë pesë medaljet olimpike në vetëm tri pjesëmarrje, sukses ky që ka përmirësuar imazhin dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si mundësi e artë për investime në infrastrukturën e sportit, si dhe çështje tjera.
Të pranishëm në Forum ishin edhe presidenti i FISU-s, Leonz Eder, drejtues të Ministrisë për Turizëm dhe Sport të Kroacisë, Komunës së Zagrebit, etj.






