+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

Kosova pranon zyrtarisht flamurin e Lojërave Mesdhetare

Në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, Kosovës iu dorëzua zyrtarisht flamuri i Lojërave Mesdhetare, duke shënuar kalimin e organizimit te mikpritësi i radhës, Prishtina 2030.


Flamurin e Lojërave Mesdhetare e pranoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një moment historik që simbolizon nisjen e rrugëtimit tonë drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.


Para më shumë se 20 mijë shikuesve, flamuri i Kosovës u ngrit përkrah flamurit të Italisë dhe atij të Lojërave Mesdhetare. Flamuri ynë u dorëzua nga basketbollisti Adhurim Alijaj, ndërsa ngritja e tij u shoqërua me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës.


Në stadium u shfaq edhe videoja promovuese e Prishtina 2030, duke prezantuar para publikut mesdhetar nikoqirin e ardhshëm të Lojërave.


Para ceremonisë së dorëzimit, flamurin e Kosovës në ceremoninë mbyllëse të Taranto 2026 e bartën dy flamurmbajtësit tanë, karateisti Islam Selmani dhe Fortesa Orana.


Të pranishëm në stadium ishin edhe drejtuesit e KOK-ut, me presidentin Ismet Krasniqi.