Komiteti Olimpik i Kosovës mori pjesë në Takimin e 3-të të projektit Safe Harbour, i mbajtur më 29–30 qershor 2026 në Frankfurt, Gjermani, me mikpritjen e Konfederatës Gjermane të Sporteve Olimpike (DOSB). Komiteti Olimpik i Kosovës u përfaqësua nga Iliria Ibrahimi, zyrtare për Projektet e BE-së.
Ky projekt po jep një kontribut të rëndësishëm në forcimin e mekanizmave të safeguarding në sport në Kosovë, duke mbështetur hartimin e Strategjisë Kombëtare për Safeguarding, në përputhje me standardet evropiane. Në këtë fazë, fokusi kryesor është përcaktimi i prioriteteve, politikave dhe mekanizmave të zbatimit, ku Komiteti Olimpik i Kosovës po kontribuon aktivisht.
Ky proces do të ndihmojë në krijimin e një sistemi më të qartë për parandalimin, raportimin dhe adresimin e shqetësimeve që lidhen me mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve në sport. Përmes bashkëpunimit me partnerët evropianë, KOK-u po përfiton nga shkëmbimi i praktikave më të mira, ngritja e kapaciteteve dhe koordinimi ndërkombëtar, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi sportiv më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në Kosovë.



