+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

𝐁𝐞𝐬𝐢𝐦 𝐀𝐥𝐢𝐭𝐢 𝐞𝐦ë𝐫𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐬𝐮𝐞𝐬 𝐢 𝐤𝐨𝐦𝐢𝐬𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭 𝐤𝐨𝐨𝐫𝐝𝐢𝐧𝐮𝐞𝐬 𝐩ë𝐫 𝐄𝐘𝐎𝐅 𝐋𝐢𝐠𝐧𝐚𝐧𝐨 𝐒𝐚𝐛𝐛𝐢𝐚𝐝𝐨𝐫𝐨 𝟐𝟎𝟐𝟕


Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, është emëruar javë më parë kryesues i komisionit koordinues për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Lignano Sabbiadoro 2027.


Aliti këtë javë ka qëndruar në Itali, për të vëzhguar procesin e punëve të tanishme për organizimin e ngjarjes më të madhe shumësportëshe për të rinj në Evropë.


EYOF Lignano Sabbiadoro 2027 mbahen prej 24 korrik – 1 gusht 2027, ndërsa marrin pjesë 14 sporte të 48 shteteve.


Është hera e parë në histori të sportit tonë që një zyrtar emërohet kryesues i një komisionit për organizimin e një ngjarje shumë sportëshe ndërkombëtare.


Pikërisht kryesuesi i këtij komisioni, Aliti, është ftuar të jetë i pranishëm në Asamblenë Gjenerale të Komitetit Olimpik të Evropës, për të raportuar për progresin e deritashëm të EYOF Lignano Sabbiadoro 2027.


E veçanta e Asamblesë që mbahet më 12 dhe 13 qershor në Budapest të Hungarisë, është prania për herë të parë e presidentes së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Kirsty Coventry.


Ky rol udhëheqës i sekretarit Aliti në një ngjarje kaq të rëndësishme si EYOF dëshmon besimin e Komitetit Olimpik të Evropës ndaj kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të kuadrove nga Kosova, duke e pozicionuar vendin gjithnjë e më fuqishëm në skenën ndërkombëtare të sportit.


Aliti edhe më parë ka qenë pjesë e komisioneve koordinuese për organizimin e EYOF-ve ndërsa në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare është anëtar i komisionit koordinues të Lojërave Mesdhetare Taranto 2026.