+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

Delegacioni i Kosovës mban takime në Londër për bashkëpunim sportiv dhe Prishtina 2030

Me ftesë të Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, së bashku me ministrin e Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani dhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, zhvilluan një seri takimesh të rëndësishme në Londër.

Delegacioni pati takime me kompani prestigjioze që kanë kontribuar në organizimin e Lojërat Olimpike Londra 2012, si dhe vizitoi fshatin olimpik dhe infrastrukturën sportive, duke marrë përvoja të vlefshme për zhvillimin e sportit në Kosovë.


Gjatë qëndrimit, delegacioni zhvilloi edhe takime institucionale dhe me përfaqësues të sportit britanik, duke diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe aplikimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në menaxhimin dhe zhvillimin e infrastrukturës sportive.


Po ashtu, u theksua rëndësia e trashëgimisë së qëndrueshme sportive, duke marrë si shembull modelin e Londrës, ku investimet olimpike vazhdojnë të shërbejnë për komunitetin dhe sportistët e rinj.




Kjo vizitë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit institucional për realizimin e projekteve madhore, me fokus të veçantë në Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 dhe ndërtimin e një trashëgimie të qëndrueshme sportive për vendin.