Komiteti Olimpik i Kosovës bashkë me 15 institucione tjera sportive dhe edukative nënshkruan Deklaratën “Brighton Plus Helsinki”, një dokument ndërkombëtar që promovon barazinë gjinore në sport.
Ceremonia e nënshkrimit u bë në Hotel Swiss Diamond dhe u organizua nga KOK-u përmes komisionit “Femra dhe Sporti”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për sportin tonë, e pranishme ishte edhe Annamarie Phelps Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG Women and Sport”, e cila shoqërohej nga Tarja Krum, presidente e Komisionit të “ENGSO Equality Within Sport”, anetare e të cilit komision është edhe Rejhan Halili, zyrtare për Marrëdhënie Ndërkombëtare në KOK.
@NOCKOSOVO and 15 sports & educational institutions signed the “Brighton Plus Helsinki” Declaration, promoting gender equality in sport.
— NOC KOSOVO 🥇🥇🥇🥈🥉 (@NOCKOSOVO) November 3, 2025
A strong commitment to inclusion, fairness & equal opportunities for all.
More details 👉 https://t.co/DKBwJUZ0Cs#BrightonPlusHelsinki pic.twitter.com/GyIm2alxMg
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, vlerësoi lart nënshkrimin e kësaj deklarate, përmes së cilës sigurojmë angazhimin dhe përkushtimin tonë për barazi në sport.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Lëvizjen Olimpike dhe për sportin kosovar në përgjithësi, sepse përmes këtij akti ne po konfirmojmë zotimin tonë për një sistem sportiv gjithëpërfshirës, të drejtë dhe të barabartë për të gjithë pa dallim gjinie. Barazia gjinore nuk është vetëm një sinonim moral apo social, është një domosdoshmëri për zhvillimin dhe suksesin e sportit në vend.
 Çdoherë që ne u japim vajzave hapësirën e merituar në sport, ne i japim mundësi vet sportit të bëhet më i drejtë, më atraktiv dhe më i fortë”, theksoi Krasniqi.

Annamarie Phelps, deklaroi se Kosova ka numër të madh të grave të suksesshme në sport dhe tani është koha që institucionet drejtuese të sportit në Kosovë të tregojnë që janë të interesuara që duan t’u japin grave hapësirën e merituar në sport.
“Tani është koha që ta bëjmë sportin diçka normale për vajzat, të marrim vendime gjithëpërfshirëse që marrin parasysh nevojat dhe ambiciet e tyre. Në çdo analizë të trendeve të ardhshme në sport që kam lexuar gjatë vitit të fundit, kanë dalë tre tema kryesore. Ndoshta e dini që të ardhurat nga sporti i grave për vitin 2025 ishin parashikuar të kalonin për herë të parë 1 miliard dollarë këtë vit. Në fakt, ato i kanë tejkaluar këto pritshmëri dhe rritja po përshpejtohet. Jo vetëm kaq, por 4 miliardë gra në këtë planet kontrollojnë 31.8 trilionë dollarë të shpenzimeve diskrecionare të sotme”, deklaroi mes tjerash, Phelps.
Në emër të ENGSO-s, foli jam Tarja Krum, e cila lavdëroi Kosovën me hapin e marrë për nënshkrimin e kësaj deklarate. ”Është vërtetë frymëzuese të shohësh të gjitha federatat të pranishme këtu dhe organizatat tjera sportive, si dhe Universitetet. duke përfaqësuar ndërthurjen e gjinive në sport e që është thelb i ENGSO-s në sport”, tha mes tjerash ajo.

Drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj,  veçoi suksesset e sportit të Kosovës, të cilat lidhen kryesisht me vajzat.
Kosova falë vajzave tona xhudiste, ka fituar pesë medalje olimpike, tri prej tyre të arta. Njëra nga kampionet olimpike, Nora Gjakova, ishte e pranishme për të nënshkruar deklaratën për Federatën e Xhudos së Kosovës, bashkë me dy dëshmitare.
“Jam shumë e nderuar të jem këtu dhe të rrethohem nga njerëz që kanë vizion dhe të njëjtin pasion për të ardhmen e sportit të vajzave. Xhudo ka qenë jeta ime për më shumë se 22 vite dhe falë mbështetjes së familjes kam arritur në majat e podiumit olimpik. Kurrë nuk e kam imagjinuar që një ditë do të fitojë medaljen e artë olimpike, por falë punës, përkushtimit dhe mbështetjes kam arritur këtu ku jam sot”, theksoi Nora, në prapavijë të së cilës shfaqeshin momentet më të suksesshme të karrierës së saj.

Gjakova u nderua me çmimin “Recognition of Inspiration, Ambassador for Women’s Sport”, sikurse medalistet tjera olimpike që nuk ishin të pranishme shkaku i angazhimeve, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Laura Fazliu. Nga sportet tjera certifikatë pranuan alpinistja e mirënjohur, Uta Ibrahimi dhe basketbollistja Enisa Kamerolli.
Në fund të aktivitetit u shenuan thënje inspiruese për femrat nga të gjithë pjesëmarresit, të cilat u vendosën në pemën e përgatitur enkas për aktivitetin.

Institucionet që nënshkruan Deklaratën:
Komiteti Olimpik i Kosovës
Komiteti Paralimpik i Kosovës
Federata e Xhudos e Kosovës
Federata e Volejbollit e Kosovës
Federata e Basketbollit e Kosovës
Federata e Karatesë e Kosovës
Federata e Boksit e Kosovës
Federata e Mundjes e Kosovës
Federata e Autosporteve e Kosovës
Federata e Ragbit e Kosovës
KVF Prishtina
Agjencia për Barazi Gjinore – Zyra e Kryeministrit
Olimpiada Speciale e Kosovës
Qendra për Studime Gjinore
Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit
Kolegji UBT
								
								