Akademia Olimpike e Kosovës ofron studime të rregullta në programin e studimit të nivelit të pestë sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve, themeluar në bazë të ligjit Nr. 03/L-060, date 07.11.2008 “Për Kualifikimet Kombëtare”
Veprimtaritë formuese të programit të studimit
Në Akademinë Olimpike veprimtaritë formuese realizohen nëpërmjet mësimit në auditor (ligjërata, ushtrime praktike), studimit individual (studim, detyra apo projekte, përgatitje provimesh, përgatitje e prezantimit final – portofolie) dhe praktika profesionale.
Shpërndarja e kredive sipas veprimtarive formuese brenda një lënde përcaktohet nga profesori i lëndës, në funksion të natyrës së disiplinës dhe shprehet në planet mësimore dhe në formatin modular të programit të studimit.
Në këtë program, studimi që ofron Akademia Olimpike, jepet numri i provimeve apo formave të tjera të vlerësimit përfundimtar të dijeve të fituara në çdo disiplinë apo veprimtari tjetër formuese.
Dokumentacioni themelor i programit
Organizimi i një programi studimi, mbështetet në hartimin e dokumentacionit themelor të tij që janë:
a. Formati i programit/moduleve
b. Plani mësimor.
Formati i programit/moduleve
Formati i programit/moduleve përfshin lëndët mësimore dhe elementet e programit të studimit të nivelit të pestë të kualifikimit, të përcaktuara nga dispozitat ligjore të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve – një fushë kurrikulare përfshin një ose më shumë lëndë mësimore. Për secilën lëndë mësimore kemi të përgatitur programet lëndore, të cilat reflektojnë kërkesat e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve-KKK, çështjet ndërkurrikulare, metodologjitë e mësimdhënies dhe nxënies, si dhe vlerësimin e kandidatëve.
Secili program mësimor nga pikëpamja e organizimit të materialit i përmbahet strukturës së mëposhtme:
- Hyrja
- Përmbajtja
- Qëllimi;
- Arritshmëria;
- Programi ( Prezantimi i Planprogramit javor);
- Metodologjia e mësimdhënies;
- Shpërndarja e orëve mësimore;
- Vlerësimi.
Plani mësimor
Tërësia e veprimtarive formuese të programit të studimit për nivelin e pestë shprehet në planin mësimor, i cili është dokumenti themelor i programit të studimit. Plani mësimor përbën dokumentacionin kryesor me karakter të gjerë informativ, në të cilin parashtrohen në mënyrë të përmbledhur informatat e mëposhtme:
- Emërtimi i programit të studimit, objektivat formuese, kohëzgjatja normale e studimeve.
- Tërësia e veprimtarive formuese (lëndëve) që përbëjnë programin e studimit, të grupuara në semestra dhe të renditura sipas semestrave.
- Kreditë për çdo veprimtari formuese, shpërndarjen e kredive brenda një lënde, sipas veprimtarive formuese të saj; ligjërata/ ushtrime/ praktikë profesionale dhe studim individual.
- Karakteristikat e portofolies.
Plani mësimor është objekt rishikimi dhe vlerësimi periodik. Modalitetet për rishikimin e planit mësimor përcaktohen në këtë rregullore. Këshilli mësimor i përbërë nga stafi akademik i caktuar, është përgjegjës për vlerësimin e planit mësimor, ndërsa menaxhmenti është përgjegjës për miratimin përfundimtar të tij.
Programi mësimor i lëndës
Programi mësimor i lëndës (syllabusi) hartohet për çdo lëndë që përmban plani mësimor. Në syllabus jepet në formë të përmbledhur struktura e lëndës, sipas ndarjeve të bëra në planin mësimor; përmbajtja e lëndës, duke e ndarë atë në pjesë, kapituj, apo edhe ndarje më të vogla; orët përkatëse në auditor për secilën nga këto ndarje, duke i specifikuar në ligjërata dhe ushtrime; detyrimet e lëndës, duke përshkruar shkurtimisht tematikën e detyrimeve dhe personeli akademik i përfshirë në realizimin e saj. Në të përfshihen edhe rezultatet e të nxënit. Syllabusi përmban gjithashtu njohuritë paraprake për ndjekjen e lëndës; kushtet e veçanta në lidhje me frekuentimin dhe detyrimet akademike para formës finale të vlerësimit; mënyrën e vlerësimit, në të cilën shprehen vlerësimet për të gjitha aktivitetet formuese përbërëse të disiplinës; literatura e rekomanduar, e cila mund të jetë tekst mësimor, përmbledhje ligjëratash, përkthime, apo literaturë në gjuhë të huaj.
Syllabusi hartohet nga mësimdhënësi i lëndës, ose grup mësimdhënësish dhe miratohet nga menaxhmenti.
Kurrikula e lëndës përmban:
- Listën e kapitujve mësimor, modulet, si dhe veprimtaritë e tjera formuese
- Objektivat formuese specifike të lëndës apo veprimtari tjetër formuese
- Kreditë dhe detyrimet për çdo veprimtari tjetër formuese
- Format e studimit, të provimeve dhe verifikimeve të tjera të dijeve të fituara nga kandidati
- Detyrimet specifike që lidhen me frekuentimin.
Format e mësimdhënies
Puna mësimore me kandidatët përfshin një larmi formash të mësimdhënies dhe të kontrollit të dijeve. Këto forma harmonizohen midis tyre përmes raporteve të caktuara, të parashikuara në planet mësimore dhe syllabuset e programit të studimit.
Në Akademinë Olimpike format kryesore të punës mësimore janë:
- Format e mësimit teorik e praktik: ligjëratat, ushtrimet praktike, konsultimet, praktikat profesionale, detyrat, projektet, etj.
- Format e kontrollit të dijeve: bashkëbisedimet, mbrojtje e detyrave dhe projekteve, mbrojtje e praktikave profesionale, provimet e lëndëve, mbrojtje e prezantimit final – Portofolie, etj.
Format e mësimit konkretizohen nga menaxhmenti në bashkëpunim me zyrën e cilësisë dhe administratën, duke hartuar dokumentet e mëposhtme, të cilat shpallen pesë ditë para fillimit të vitit të ri akademik/semestrit:
- Kalendari akademik në të cilën përcaktohet vazhdimësia e elementëve që përbëjnë këtë strukturë (mësimi, praktika, sesioni i provimeve dhe prezantimit final, pushimet).
- Orari i mësimit hartohet në përputhje me planin mësimor, grupet mësimore, numrin dhe kapacitetin e auditorëve, duke synuar që të ketë një shpërndarje të ekuilibruar të ngarkesës ditore në auditor të kandidatit. Ngarkesa javore në auditor e kandidatit luhatet mesatarisht 15-25 orë/javë.
Organizimi i procesit mësimor
Organizimi sa më mirë i procesit mësimor është baza e suksesit të një programi të studimit. Menaxhmenti/koordinatori i edukimit arsimor mban përgjegjësi për organizimin e punës për një fillim të mbarë të procesit mësimor dhe për sigurimin e personelit akademik.
Administratori/sekretari i përgjithshëm i Akademisë Olimpike të Kosovës, mban përgjegjësi për sigurimin e gjithë bazës materiale (mjete didaktike, material zyrtar, materiale për ushtrime praktike, etj), mjediset e punës (auditorët, sallat, biblioteka, etj.,) dhe infrastrukturën e nevojshme (shërbimet e internetit, telefonisë, skenimit, si dhe shërbime të tjera për kandidatin, etj.,) për zhvillimin me sukses të procesit mësimor. Një javë para fillimit të semestrit, baza materiale, mjediset e punës dhe infrastruktura duhet të jenë të gatshme.
Personeli akademik i rregullt dhe bashkëpunëtor, para fillimit të semestrit, depoziton në Akademi, literaturën për kandidatët ose referencat ndaj saj. Literatura e rekomanduar duhet të jetë në dispozicion për kandidatin në librari, bibliotekë, në formën e teksteve mësimore në gjuhën shqipe, libra në gjuhë të huaj, leksione të shkruara, si në formatin e shkruar dhe atë elektronik.
Grupet mësimore
Puna mësimore zhvillohet mbi bazë grupi. Grupi përbën formacionin bazë me të cilin realizohen të gjitha format e punës mësimore. Si rregull ai ka rreth 20 studentë dhe mbi këtë bazë zhvillohen punët praktike, ushtrimet praktike, etj. Në lëndë të veçanta, për zhvillimin e mësimeve praktike, në funksion të mjediseve dhe infrastrukturës në dispozicion, grupi mësimor mund të ndahet në njësi më të vogla me më pak kandidatë, i cili miratohet nga koordinatori, mbështetur në propozimin e mësimdhënësit të lëndës.
Ndarja e kandidatëve në grupe regjistrohet në regjistrat e vitit, të cilët janë dokumente zyrtare, ku evidentohet zhvillimi i orëve të mësimit nga mësimdhënësit. Ky dokument ruhet nga administrata, u jepet mësimdhënësve para çdo ore mësimi dhe ata e dorëzojnë pas përfundimit të mësimit. Humbja apo mosplotësimi i regjistrit ngarkon me përgjegjësi shkaktarin.
Zhvillimi i mësimit
Koha dhe auditori ku zhvillohet mësimi, përcaktohet në orarin e shpallur nga Akademia Olimpike e Kosovës, i cili duhet të respektohet në përpikëri nga të gjithë mësimdhënësit dhe kandidatët. Orari ndërtohet mbi kritere metodike e pedagogjike, duke mbajtur parasysh harmonizimin e formave të ndryshme të mësimit (ligjëratë, ushtrime, etj.) të lëndëve të ndryshme dhe shpërndarjen racionale të ngarkesës së kandidatit. Nëse paraqitet nevoja ndryshohet orari duke i njoftuar të gjitha palët.
Ligjëratat duhet të zhvillohen sipas plan programit të paraparë. Në rast të mosparaqitjes së mësimdhënësit për arsye madhore, ligjërata zëvendësohet në një ditë tjetër të shpallur nga administrata, në bashkëpunim me mësimdhënësin dhe koordinatorin e edukimit arsimor. Administrata ndjek dhe evidenton çdo ditë ecurinë e procesit mësimor.
Kohëzgjatja e ligjëratave është 45 minuta.
Pjesëmarrja e kandidatëve në mësim
Kandidati duhet të ndjekë të gjitha format e mësimdhënies së lëndëve të përcaktuara në planin mësimor. Masa e detyrueshme e frekuentimit të tyre ndryshon në funksion të tipit të aktivitetit mësimor që realizohet, duke i klasifikuar të padetyrueshme, pjesërisht të obligueshme dhe plotësisht të obligueshme.
- Për të dy nivelet e studimit për kandidatët e rregullt, frekuentimi i ligjëratave është i obligueshëm me mundësi të mungesës deri në 25%.
- Frekuentimi i ushtrimeve, punëve laboratorike dhe praktikave profesionale, është plotësisht i obligueshëm në masën 100 % për nivelin e studimit.
Për format e mësimit me frekuentim pjesërisht të obligueshëm, kur kandidati me ose pa arsye, nuk merr pjesë në mbi 25% të numrit të ligjëratave të zhvilluara në një lëndë, shpallet i paklasifikuar dhe nuk lejohet të shlyejë obligimet e mëtejshme të asaj lënde. Ai është i obliguar të ndjekë përsëri ligjëratat nga ajo lëndë në vitin pasardhës me të njëjtën obligim të frekuentimit.
Për format e mësimit me frekuentim plotësisht të obligueshëm, kur kandidati me ose pa arsye nuk merr pjesë qoftë edhe në një ligjëratë, mësimdhënësi i krijon kandidatit edhe një mundësi tjetër për të shlyer frekuentimin e obliguar para përfundimit të semestrit. Në rastet e përsëritjes së mungesave, kandidati i ndjek ato në vitin pasardhës.
Pjesëmarrja e kandidatit evidentohet rregullisht dhe kontrollohet nëpërmjet regjistrit të grupit. Administrata kontrollon rregullisht frekuentimin e kandidatëve në aktivitetet mësimore, evidenton çdo shkelje të kufijve minimalë të pranuar dhe raporton rast pas rasti tek menaxhmenti për shkeljet e konstatuara.
Sistemi i vlerësimit
Në Akademinë Olimpike të Kosovës për të vlerësuar njohuritë e kandidatit përdoret sistemi i vlerësimit me gjashtë nota, nga nota 5 (pesë) deri te nota 10 (dhjetë), ku 10 (dhjetë) është vlerësimi maksimal. Me këtë sistem bëhet vlerësimi në të gjitha format e kontrollit të përdorura.
Notat nga gjashtë e lart janë kaluese.
Nota | ECVET nota | Suksesi pikë – % | Vlerësimi |
10 | A | 91 – 100 % | SHKËLQYESHËM – njohuri të shkëlqyeshme me vetëm disa gabime minore |
9 | B | 81 – 90 % | SHUMË MIRË – arritje mbi mesatare, por me disa gabime |
8 | C | 71 – 80 % | MIRË – rezultat në përgjithësi i mirë me disa gabime që vërehen |
7 | D | 61 – 70 % | KËNAQSHËM – mirë, por me mjaftë gabime |
6 | E | 51 – 60 % | MJAFTON – rezultatet plotësojnë kriteret minimale |
5 | F | 40 – 50 % | DOBËT – kërkohet edhe pak punë nga studenti për të fituar kredit |
4 | G | 00 – 39 % | DOBËT – kërkohet shumë punë për të fituar kredit. |
Në rastin e organizimit të moduleve të përbëra ku marrin pjesë disa disiplina, vlerësimi realizohet nëpërmjet provimeve të integruara, ose me pjesë. Në të dyja rastet vlerësimi përfundimtar do të shprehet nëpërmjet një note mesatare të integruar, ku merret në konsideratë vlerësimi dhe kreditë për çdo pjesë të përfunduar.
Në programin e lëndës/modulit shprehen modalitetet e vlerësimit të saj, të cilat i bëhen të njohura kandidatëve me fillimin e procesit mësimor.
Format e kontrollit
Kontrolli i dijes së një lënde/provimi mund të bëhet nëpërmjet:
- Provimit me shkrim/test
- Provimit me gojë
- Vlerësimit të punës praktike
- Kombinimit të formave të mësipërme: me shkrim, me gojë dhe praktika.
Mënyra e organizimit të provimit është në funksion të natyrës së lëndës. Ai përcaktohet nga mësimdhënësi i lëndës, mbështetur në programin e lëndës dhe miratohet nga Koordinatori i Edukimit Arsimor. Modalitetet e organizimit të kontrollit të dijeve shprehen në programin e lëndës dhe i bëhen të njohura kandidatit në fillim të procesit mësimor.
Në format e kontrollit me shkrim përdoret sistemi i vlerësimit me pikë, rezultati i të cilit, detyrimisht, kthehet në notë.
Përmbajtja e provimit, në të gjitha rastet e kontrollit, hartohet nga mësimdhënësi i lëndës dhe miratohen e nënshkruhen nga Koordinatori i Edukimit Arsimor.
Parakushtet për hyrje në provim
Kandidati fiton të drejtën e hyrjes në provimin e një lënde, kur:
- ka plotësuar kriteret e obliguara të vendosura për atë lëndë (detyrat, projektet);
- plotëson kushtet që lidhen me frekuentimin e proceseve mësimore;
- ka përmbushur 100% obligimet për praktikat mësimore, ushtrimeve praktike, (nëse lënda parashikon forma të tilla), brenda afatit të parashikuar.
Sesionet e provimeve
Provimet zhvillohen brenda periudhave të caktuara në strukturën mësimore të vitit akademik. Datat e tyre propozohen nga koordinatorët e Akademisë në bashkëpunim me Zyrën e Cilësisë dhe shpallen nga administrata, jo më vonë se katër javë para fillimit të mësimit.
Provimet e rregullta zhvillohen në tri afate:
- Afati i provimeve të janarit, i cili zhvillohet pas përfundimit të semestrit dimëror;
- Afati i provimeve të qershorit, i cili zhvillohet pas përfundimit të semestrit veror;
- Afati i provimeve të shtatorit, i cili zhvillohet para fillimit të semestrit dimëror;
- Afatet e jashtëzakonshme të prillit dhe nëntorit.
Nëse kandidati nuk ka përfunduar obligimet e lëndës në kohën e paraparë (gjatë semestrit), sipas kësaj rregulloreje, ai duhet t’i përmbushë ato para fillimit të afatit të provimeve, në periudhën e shpallur nga menaxhmenti. Nuk lejohet përmbushja e obligimeve të lëndës përgjatë afatit të provimeve.
Kandidati, nuk lejohet të hyjë më shumë se një herë në provimin e një lënde, brenda një afati. Kandidati nuk mund të hyjë në të njëjtën ditë në dy provime në lëndë të ndryshme.
Kandidati nuk mund të marrë më shumë se numri maksimal i kredive të përcaktuara në planin dhe programin mësimor për çdo vit akademik.
Provimi/kontrolli i dijeve
Provimi është një akt madhor, prandaj koordinatori merr masat e nevojshme për organizimin e afateve të provimit dhe krijimin e kushteve normale, si dhe kontrollon vazhdimisht zbatimin e rregullave të përcaktuara në këtë rregullore. Si rregull, provimet zhvillohen në mjediset e Akademisë Olimpike të Kosovës.
Provimet organizohen mbi bazë grupi mësimor. Ato zhvillohen në orën, datën dhe auditorin e caktuar, të cilat reflektohen në orarin e provimeve, të shpallur katër javë para fillimit të vitit akademik.
Në raste të jashtëzakonshme, në pamundësi të zhvillimit të provimit ditën e caktuar, mësimdhënësi me vendim me shkrim, e anulon dhe cakton një datë të mëvonshme brenda afatit apo jashtë tij, e cila u bëhet e njohur kandidatëve. Për çdo vendim të tillë mësimdhënësi njofton të gjitha palët.
Ndalohet hyrja në provim e personave të jashtëm, qofshin dhe anëtarë të personelit të Akademisë Olimpike të Kosovës, me përjashtim të menaxhmentit, e persona të tjerë të autorizuar me shkrim poashtu nga menaxhmenti për të kryer kontroll.
Kandidati është i detyruar të paraqitet në provim me dokument identifikimi me fotografi – karta e identitetit si kandidat i Akademisë Olimpike të Kosovës (AOK). Në të kundërt, ai nuk lejohet të hyjë në provim dhe pasojat rëndojnë mbi kandidatin. Pas kontrollimit të testeve të provimit, mësimdhënësi shënon në procesverbal notën e vlerësimit me numër e me fjalë dhe procesverbalin e nënshkruar e dorëzon tek administrata brenda pesë dite nga dita e provimit.
Në provim nuk lejohet mbajtja dhe përdorimi i telefonave mobil/celularëve. Kandidati që në provim përdor forma e mjete të palejueshme, përjashtohet nga provimi.
Provimet me shkrim nuk mund të zgjasin më shumë se dy orë. Gjatë provimit mund të lejohet përdorimi i mjeteve ndihmëse. Sistemi i pikëve dhe konvertimi përkatës me notë, që përdoret në provimin me shkrim, i bëhet i njohur kandidatit para fillimit të provimit.
Në të gjitha format e organizimit të provimit, kandidati merr vlerësimin përkatës nga mësimdhënësi jo më vonë se pesë ditë pune nga data e provimit. Vonesa në dhënien e rezultatit të vlerësimit ngarkon me përgjegjësi mësimdhënësin.
Mësimdhënësi shpall rezultatet e vlerësimit, para plotësimit të dokumentacionit e që është procesverbali i provimit. Kandidati ka të drejtë të konsultohet me mësimdhënësin për çdo paqartësi nga ana e tij, nëse ka bërë më pak se vetëm 10% nga niveli i kalueshmërisë, ose nuk është i kënaqur me notën e arritur, ai po ashtu mund të kundërshtojë rezultatin e marrë brenda 48 orëve nga ora e shpalljes së rezultateve me shkrim apo online në programin e kandidatëve. Mësimdhënësi është i detyruar t’i shpjegojë kandidatit në lidhje me vlerësimin e bërë, duke ballafaquar përgjigjet e dokumentuara të kandidatit me materialin e zgjidhur. Nëse nuk ka ankesa, atëherë me automatizëm vlerësohet se kandidati e pranon notën dhe plotësohet dokumentacioni përkatës (procesverbali i provimit).
Kandidati merr vlerësimin kalues në një lëndë kur:
- ka plotësuar të gjitha parakushtet e përcaktuara sipas programit mësimor;
- vlerësohet me notë kaluese sipas formës së kontrollit që parashikon programi.
Në rast të kundërt, kandidati, konsiderohet që nuk ka kaluar provimin dhe duhet ta përsërisë atë, në njërin nga afatet vijuese.
Testet e provimeve të kandidatëve ruhen në dosje të veçantë tek administrata për një periudhë një vjeçare pas përfundimit të afatit të provimeve.
Kandidati ka të drejtë të ankohet, në rast se ndaj tij janë shkelur rregullat procedurale gjatë zhvillimit të provimit ose nuk është dakord me vlerësimin e bërë. Ankesa duhet të depozitohet me shkrim ose online përmes programit të kandidatëve, brenda një afati prej 48 orësh nga shpallja e rezultatit nga administrata. Kjo ankesë shqyrtohet nga koordinatorët, të cilët mund të thërrasin për sqarime mësimdhënësin dhe vetë kandidatin dhe pas gjykimit të çështjes, merr vendimin përkatës të formës së prerë brenda tre ditëve. Vendimi i tyre përcakton nëse kërkesa e kandidatit është e drejtë ose jo. Kur ankesa është e drejtë koordinatori i edukimit arsimor e shpall të pavlefshëm rezultatin e vlerësimit për të cilin kandidati është ankuar dhe vendos që kandidati të hyjë në provim me komision, të përbërë nga tre anëtarë, në një datë tjetër brenda afatit ose jashtë tij, por jo më vonë se pesë ditë nga përfundimi i afatit përkatës të provimeve. Procedura e ndjekur për zgjidhjen e ankesës, si dhe vendimi i marrë, regjistrohen në regjistrin e ankesave të kandidatëve.
Dokumentimi i vlerësimit të kandidatëve
I vetmi dokument, që lejon kandidatin të hyjë në provim dhe dokumenton vlerësimin që ai merr është Procesverbali i PROVIMIT. Procesverbali i provimit hartohet mbi bazën e gjeneratës së programit përkatës. Në fletën e provimit shënohen vetëm kandidatët që kanë fituar të drejtën të hyjnë në provim.
Procesverbali i provimit, plotësohet dhe mbyllet nga mësimdhënësi, nënshkruhet nga koordinatori i edukimit arsimor dhe mban vulën e Akademisë Olimpike të Kosovës. Procesverbali i provimit i dorëzohet mësimdhënësit ditën e provimit. Në asnjë rast procesverbal të provimit, nuk duhet të ketë korrigjime dhe askush nuk ka të drejtë të shtojë emra në të. Pranimi në dorëzim i tij bëhet me nënshkrim.
Nota e provimit shënohet me numër e me fjalë. Për kandidatin që nuk paraqitet në provim, shënohet “nuk u paraqit”. Procesverbali i plotësuar në rregull duhet të dorëzohet në administratë më së largu pesë ditë pas datës së provimit përkatës. Parregullsitë që lidhen me plotësimin apo me dorëzimin e këtij dokumentacioni ngarkojnë me përgjegjësi mësimdhënësin.
Në raste gabimesh në plotësimin e procesverbalit të provimit, hartohet një proces-verbal shtesë me nënshkrimet e mësimdhënësit, koordinatorit të edukimit arsimor, i cili poashtu merr vendimin për asgjësimin e fletës së provimit të hartuar gabim dhe lëshimin e një flete të re provimi.
Përmirësimi i notave
Kandidati ka të drejtë të kërkojë përmirësimin e notës. Një veprim i tillë lejohet kur nota që kërkon të përmirësojë kandidati, është detyrim i vitit që sapo ka përfunduar. Kandidati ka të drejtë të përmirësojë deri në dy nota në vit.
Për përmirësimin e notës, kandidati provohet vetëm një herë dhe vetëm në afatin e vjeshtës. Mbetet në fuqi nota me të cilën kandidati vlerësohet në fund.
Kërkesa për përmirësim note i paraqitet koordinatorit të edukimit arsimor, jo më vonë se një javë pas përfundimit të afatit të verës. Në bazë të vendimit që merr koordinatori, administrata kryen veprimet përkatëse.
Kandidati mund të përmirësojë vetëm vlerësimin e marrë në provim, i cili i bashkëngjitet vlerësimit të marrë në elementet e tjerë të lëndës përgjatë vitit shkollor.
Transferimi i studimeve në të njëjtin program studimi
Me ”transferim studimesh” nënkuptohet ndryshimi i programit të studimit me kërkesë të vetë kandidatit, kur ai studion në një semestër të ndërmjetëm (jo në semestrin e parë) dhe dëshiron të vazhdojë në semestrin pasardhës në një program studimi/institucioni tjetër.
Kandidati mund të aplikojë për transferim nga një institucion tjetër në Akademinë Olimpike në çdo kohë, por, mund të transferohet vetëm në fillim të semestrit vijues, duke u përfshirë në librin amë të institucionit përkatës, duke e përfshirë edhe në librin amzë të institucionit përkatës i cili gjendet në MASHT, siç parasheh UA 35/2014. Vetëm kandidatët të cilët kanë kredi (ECVET) të realizuara, mund të transferohen nga një institucion tjetër.
E gjithë procedura e transferimit të studimeve kryhet në fillim te semestrit dimëror dhe veror, kur ka përfunduar një semestër akademik dhe ende nuk ka filluar semestri i ardhshëm.
Akademia Olimpike e Kosovës, përveç se pranon transferime të kandidatëve nga institucione të tjera për arsim dhe aftësim profesional, vendase dhe të huaja, publike ose jopublike, lejon transferimin e kandidatëve të vet në institucione të tjera të nivelit të 5-të, sipas procedurave të parashikuara me Ligjin nr. 03/L-060 për kualifikimet kombëtare, UA 35/2014 dhe me rregulloren për transferim të kandidatëve.
Kandidati që dëshiron të transferohet nga një Institucion tjetër në Akademinë Olimpike, duhet të paraqesë:
- Kërkesën me shkrim drejtuar Akademisë Olimpike, për transferim në programin përkatës;
- Listën e lëndëve e detyrimeve të tjera të ndjekura e të kryera sipas programit,
- Pasqyrën e notave dhe kreditë përkatëse;
- Dokumentet e shkollës së mesme,
- Certifikatën e lindjes;
- Një foto 4×5.
Njohja e dijeve dhe aftësive profesionale të certifikuara
Për ndjekjen dhe respektimin e procedurave të transferimit pranë çdo programi të studimeve, funksionon komisioni i njohjes dhe ekuivalentimit. Komisioni caktohet me vendim të koordinatorit të edukimit arsimor dhe përbëhet prej tre anëtarëve.
Komisioni shqyrton dosjen me të dhënat e kandidatit dhe programet e lëndëve të zhvilluara dhe përcakton lëndët që njihen nga Akademia Olimpike, lëndët që duhet të ndiqen plotësisht si dhe ato për të cilat kandidati duhet të marrë një numër të kufizuar kredish. Mendimi i komisionit dërgohet tek Komiteti i Cilësisë.
Vendimin për pranimin e kandidatëve që kanë kërkuar transferimin e merr Komiteti i Cilësisë, i mbështetur në propozimin e koordinatorit të edukimit arsimor dhe vendimin e Komisionit të Njohjes dhe Ekuivalentimit.
Kandidati i transferuar, me pranimin në Akademinë Olimpike lidh kontratën përkatëse, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet për palët. Kontrata nënshkruhet nga koordinatori i Edukimit Arsimor dhe kandidati.
Kandidati që dëshiron të largohet nga Akademia Olimpike për të vazhduar studimet në një institucion tjetër për arsim dhe aftësim profesional, duhet t’i paraqesë koordinatorit për edukim arsimor kërkesën me shkrim për transferim, në të cilën parashtron arsyet e transferimit dhe emrin e institucionit në të cilën kërkon të transferohet.
Kërkesa shqyrtohet dhe miratohet brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes dhe Akademia Olimpike e pajisë kandidatin me këto dokumente:
- Vërtetimin e çregjistrimit nga Akademia Olimpike;
- Vërtetimin për detyrimet e shlyera gjatë periudhës së studimit;
- Certifikatën e notave;
- Dokumentacionin origjinal personal që e ka dorëzuar kur është regjistruar në Akademi.
Me dhënien e dokumenteve të transferimit, kandidati çregjistrohet nga Akademia Olimpike.
Ankesa
Në rast se kandidati nuk pajtohet me vendimmarrjen e komisionit të baras vlerësimit, ai mund të ankohet tek koordinatori i edukimit arsimor. Në këtë rast, koordinatori ngre një komision për shqyrtimin e ankesës. Komisioni duhet të ketë tre përfaqësues, të cilët nuk kanë qenë anëtarë të komisionit të baras vlerësimit.
Komisioni për shqyrtimin e ankesës rishikon procedurat e ndjekura, dokumentacionin përkatës dhe analizon vendimin e marrë. Në rast se e shikon të nevojshme, komisioni për shqyrtimin e ankesave thërret për sqarime komisionin përkatës të baras vlerësimit ose anëtarë të veçantë të tij. Vendimi i komisionit për shqyrtimin e ankesave është i formës së prerë.
Regjistrimi i vendimmarrjes
I gjithë dokumentacioni i baras vlerësimit ruhet në dosje të veçanta dhe arkivohet. Për të gjitha baras vlerësimet, mbahet një regjistër i veçantë, ku regjistrohen zgjidhjet e dhëna dhe vendimet e marra. Regjistrat ruhen në administratë të Akademisë Olimpike të Kosovës.
Informimi i kandidatëve
Në Akademinë Olimpike të Kosovës është ngritur një sistem i organizuar i informimit për të transmetuar te kandidatët të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me programin e studimit, procesin mësimor, rregulloren e ndryshme në fuqi, procedurat në lidhje me aktivitete të ndryshme të procesit mësimor, etj.
Informacioni i nevojshëm publikohet në disa forma:
- Në letër, në formën e udhëzuesve, rregulloreve, fletëpalosjeve, etj., të cilat gjenden në administratë dhe u vihen në dispozicion kandidatëve.
- Në formë elektronike në ueb faqen e Komitetit Olimpik të Kosovës/Akademisë Olimpike (www.noc-kosovo.org), në të cilin kanë qasje të gjithë kandidatët në mjediset e Akademisë dhe jashtë tij.
- Në letër të afishuar në mjediset e përcaktuara të Akademisë Olimpike të Kosovës, si orari i mësimit, njoftime të ndryshme, pjesë të rëndësishme të rregullores, rezultatet e vlerësimeve, etj.
- Në llogarinë elektronike të studentit në ueb faqen e AOK.
Të drejtat e kandidatit
Kandidatët kanë për detyrë të respektojnë dispozitat e kësaj rregullore për aq kohë sa gëzojnë statusin e kandidatit të Akademisë Olimpike, si dhe të sillen në përputhje me normat etiko-morale të qytetarisë së mirë, ata duhet:
- Të zbatojnë orarin e mësimit dhe t’u përmbahen rregullave të sanksionuara me Rregulloret e Akademisë Olimpike.
- Të paraqiten në mënyrë serioze dhe dinjitoze në mjediset e institucionit, që nënkupton një veshje të përshtatshme, si dhe përdorimin e një fjalori të përshtatshëm, sipas normave të etikës, moralit dhe të mirësjelljes.
- Të respektojnë personelin akademik, personelin administrativ dhe ndihmës, dhe kandidatët e tjerë dhe rregullat e mësimit. T’u drejtohen personelit akademik dhe atij administrativ në vetën e dytë shumës, si edhe me titujt akademikë përkatës.
- Të mos kryejnë veprime dhe gjeste provokuese apo ngacmuese ndaj personelit akademik apo kandidatëve të tjerë, në mjediset e institucionit.
- Të mos ofrojnë në asnjë formë, privilegje, përfitime, ndërhyrje, favorizime, pagesa apo dhurata, vetë apo nëpërmjet personave të tjerë, me qëllim marrjen e rezultateve të larta, apo për të kërkuar favorizime të tjera, të cilat personeli akademik apo anëtarë të tjerë të personelit të Akademisë Olimpike mund t’i japin për shkak të detyrës.
- Të mos kopjojnë, të mos mashtrojnë gjatë procesit mësimor, si dhe të mos shmangen nga shlyerja e detyrimeve mësimore.
- Të mos konsumojnë pije alkoolike, duhan, apo substanca të tjera të ndaluara në mjediset e institucionit.
- Të mos përdorin telefon mobil/celular dhe ta mbajnë atë të fikur gjatë orarit të mësimit. Të mos kenë/mbajnë telefon mobil/celular gjatë provimit.
- Të mbajnë me vete përgjatë procesit mësimor ID e dhënë nga Akademia Olimpike, dhe ta paraqesin/dorëzojnë atë sipas një kërkese të bazuar nga anëtarët e personelit akademik apo administrativ të institucionit.
- Kandidati, i cili përfshihet në një veprim të ndaluar apo thyerje ligji, i cili rezulton në prishjen e orës së mësimit mund të detyrohet nga mësimdhënësi të lërë auditorin për periudhën e mbetur të orës së mësimit. Për përjashtime më të gjata si pasojë e prishjes së orës së mësimit duhet të merren vendime me shkrim nga organet përkatëse.
- Si anëtarë të Akademisë Olimpike, kandidatët gëzojnë të drejtat dhe liritë si në vijim:
- Çdo kandidat ka të drejtën të jetë i lirë nga diskriminimi racor, fetar, etnik, për shkak të përkatësisë politike, moshës, gjinisë, aftësive të kufizuara, dhe orientimit seksual.
- Kandidatët kanë të drejtën e lirisë së shprehjes, të mbledhjes dhe grupimeve për aq kohë sa shfrytëzimi i këtyre lirive pajtohet me politikat e institucionit, nuk ndërhyn në drejtimin efektiv të mësimit dhe respekton të drejtat e të tjerëve.
Shkelja e rregullave
Sjelljet e ndaluara të cilat përbëjnë shkelje të rënda të rregullores së raportimit të incidenteve, përfshijnë:
- Veprimet e çfarëdo lloji, të çdo anëtari të Akademisë Olimpike që dëmtojnë misionin dhe imazhin e institucionit apo autoriteteve drejtuese.
- Sjellja e dhunshme ose kërcënimi, ushtrimi i dhunës fizike, sharjet, shpifjet, apo veprimet keqdashëse të çfarëdo lloji, ndaj çdo anëtari të Akademisë Olimpike, nga vetë anëtarët e këtij komuniteti, apo të personave të lidhur me ta në marrëdhënie martesore, lidhje gjaku e të tjera.
- Kandidatët janë të ndaluar të flasin në emër të Akademisë Olimpike, me ndonjë organizatë të medias së folur apo të shkruar. Kandidatët janë të ndaluar të ftojnë në ambientet apo eventet e institucionit organizata të mediave, përjashtuar rastet kur merret leje me shkrim nga autoritetet drejtuese. Kandidatët si individë ose përfaqësues të organizatave studentore janë të ndaluar të hyjnë në marrëveshje verbale, me shkrim ose në kontrata që kanë për qëllim të lidhin, detyrojnë, ose krijojnë ndonjë lloj përgjegjësie për institucionin. Të gjithë kandidatët që kryejnë veprimet e sipërpërmendura, do të jenë individualisht përgjegjës për pasojat financiare, juridike ose dëmet që mund të rezultojnë nga veprime të tilla të paautorizuara.
- Ofrimi ose dhënia e ryshfetit personelit të Akademisë Olimpike.
- Përvetësimi i paautorizuar i aseteve ose shërbimeve brenda Akademisë Olimpike.
- Plagjiatura e çdo forme.
- Përdorimi i paautorizuar ose jo adekuat i pajisjeve kompjuterike, pajisjeve të tjera dhe/ose mjediseve fizike të Akademisë Olimpike.
- Përdorimi i alkoolit, duhanit, dhe/ose substancave të ndaluara brenda ambienteve të Akademisë Olimpike.
- Çdo lloj veprimtarie apo sjellje që përbën vepër penale dhe/ose që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në rast të shkeljes së dispozitave të kësaj rregulloreje nga ana e kandidatëve, ata do të disiplinohen në përputhje me Kodin e Mirësjelljes të Akademisë Olimpike.
Përveç shkeljeve që ndëshkohen nga rregulloret e Akademisë Olimpike, si dhe të atyre që përbëjnë vepër penale që trajtohen nga dispozitat e Kodit të mirësjelljes, shkelja e dispozitave të parashikuara në këtë rregullore nga ana e personelit të Akademisë Olimpike, përbënë poashtu shkelje disiplinore për të cilën parashikohet:
- Masë disiplinore “Vërejtje me shkrim” dhe
- Masë disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për largim nga puna ose nga studimet”.
- Në rast se këto shkelje bëhen të përsëritura, si dhe në rastin e shkeljeve të rënda, menaxhmenti merr vendim për “Largim nga puna”.
Caktimi i masave ndëshkuese në parim do të ketë karakter progresiv përveç rasteve kur shkeljet janë të rënda. Caktimi i llojit të masës ndëshkuese do të bëhet në bazë të llojit të shkeljes, intensitetit, përsëritshmërisë dhe pasojave të ardhura.
Ndërprerja e studimeve, largimi/tërheqja
Kandidati mund të ndërpresë studimet për një periudhë kohore të caktuar. Në këtë rast ai duhet të bëjë një kërkesë pranë administratës, në të cilën duhet të përcaktojë kohën e ndërprerjes së studimeve.
Me rifillimin e studimeve, kandidati duhet të përfundojë detyrimet e reja që lindin për shkak të ndryshimit të planit dhe programeve mësimore të lëndëve.
Rifillimi i studimeve bëhet vetëm në fillim të vitit akademik dhe jo më vonë se dy javë nga fillimi i tij. Rifillimi ose ripranimi i kandidatit bëhet mbi bazën e një kërkese dhe dokumentacionit të nevojshëm të dorëzuar prej tij në administratë të Akademisë Olimpike të Kosovës.
Kandidati mund të largohet nga Akademia Olimpike të Kosovës, duke u çregjistruar përfundimisht. Për këtë ai bën një kërkesë me shkrim ku shpreh arsyet e largimit. Administrata pranon kërkesën dhe ia paraqet koordinatorit të Edukimit Arsimor për të marrë vendimin. Me marrjen e vendimit, administrata bën çregjistrimin e kandidatit, duke regjistruar në portofolien profesionale të kandidatit datën e çregjistrimit dhe nënshkrimin e kandidatit. Çregjistrimi duhet të bëhet me vullnetin e tij të lirë (përveç rasteve të përjashtimit nga Akademia Olimpike e Kosovës), në prani të kandidatit. Dokumentet origjinale i dorëzohen në momentin e çregjistrimit nga Akademia Olimpike e Kosovës.
Rishikimi periodik i programit të studimit
Komiteti i Cilësisë siguron që programi i studimit rishikohet çdo vit me qëllim korrigjimin dhe përmirësimin e programit të studimit.
Kjo është bërë në lidhje me rishikimin vjetor të përshkrimit të programit dhe lëndës.
Ky rishikim duhet të përfundojë deri në dhjetor për semestrin pranveror dhe deri në qershor për semestrin vjeshtor, të cilat janë afatet që Akademia Olimpike ka vendosur për paraqitjen e përshkrimeve aktuale të programit dhe përfundimin e informacionit rreth lëndëve/programit të studimit për vitin e ardhshëm akademik.
Të gjitha informacionet mbi lëndët, përshkrimet e programit, si dhe oraret janë të përditësuara dhe të disponueshme në ueb faqen e Komitetit Olimpik të Kosovës, sektori Akademia Olimpike https://www.noc-kosovo.org/.
Organizimi i praktikave profesionale
Praktika profesionale në klub realizohet nga kandidatët në muajin e fundit të semestrit të fundit në klubet sportive, me të cilat Akademia ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, për t’u ofruar atyre mundësinë për të marrë njohuri dhe përvojë praktike nga ekspertët më kompetentë.
Megjithatë, për të rritur nivelin e arsimimit, pjesëmarrësit kanë një mundësi të vizitojnë klubet kryesore, objektet dhe kampet e trajnimit në mbarë Kosovën. Është përgjegjësi e mësimdhënësit të përcaktuar për praktikat profesionale, të zgjedhë vendndodhjen më të mirë të mundshme për klasat e specializimit sportiv.
Praktikat profesionale zhvillohen në institucione/kompani sipas profilit të përgatitjes së kandidatit dhe nën drejtimin e personelit akademik të caktuar nga departamenti përkatës. Menaxhmenti bën ndarjen e kandidatëve nëpër institucione/kompani pritëse, duke respektuar edhe dëshirat e tyre. Kandidatët kanë detyrimin e kryerjes 100% të orëve të praktikës profesionale. Kandidati detyrohet të respektojë rregullat e institucionit pritës.
Gjatë kryerjes së praktikës profesionale, mentori që e drejton atë, mban lidhje me qendrën ku ajo kryhet. Çdo qendër do të caktojë një mentor, që i plotëson kriteret akademike dhe/apo profesionale, dhe duhet të aprovohet nga Akademia Olimpike e Kosovës. Gjatë praktikës profesionale, mentori plotëson dokumentin e vijueshmërisë, si dhe nënshkruan ditarin e kandidatit.
Prezantimi final i temës (diplomimi)
Prezantimi final – punimi i diplomës së nivelit të pestë të programit të studimit “Trajner Sportiv” është një punim, në formën e një projekti apo përmbledhjeje punimesh të kryera në fushat e programit përkatës të studimit. Punimi i diplomës përmban kërkesa, mënyra e shtrimit të të cilave i jep mundësi kandidatit, që nëpërmjet njohurive të fituara gjatë periudhës së shkollimit, të tregojë aftësitë e tij për të zgjidhur elementë të veçantë të detyrave projektuese, probleme profesionale apo për të punuar me literaturën në fushën përkatëse.
Punimi i diplomës është e lidhur me disiplina të përafërta dhe mund të jetë individuale ose kolektive (dy-tre kandidatë). Në rastet e punimeve kolektive, kandidatet kanë të ndarë çështjet që do të trajtojnë, duke respektuar një ndarje afërsisht të barabartë të volumit të punës që do të kryejnë, e dalluar me ngjyrë të veçantë.
Punimet e diplomës dhe mentorët që do të udhëheqin punimin e tyre, përcaktohen nga vet kandidatët. Në përcaktimin e portofolies mund të bashkëpunojnë me institucione të tjera publike apo private që punojnë në fushat përkatëse.
Organizimi i mbrojtjes së temës
Përgatitja dhe paraqitja e mbrojtjes së temës bëhet sipas normave të përcaktuara nga kjo rregullore dhe ndjek procedurat e miratuara përpara se ajo të mbrohet në komisionin përkatës. Të gjitha punimet e diplomës, para se të lejohen për mbrojtje, miratohen nga këshilli mësimor.
Punimi i diplomës mbrohet para një komisioni të posaçëm, të përbërë nga staf akademik i brendshëm dhe i ftuar, i propozuar nga koordinatorët dhe i miratuar nga këshilli mësimor. Komisioni respekton në çdo rast, për secilin kandidat procedurën dhe rregullat përkatëse të vendosura nga këshilli mësimor. Komisioni për mbrojtjen e portofolies funksionon kur janë jo më pak se 2/3 e anëtarëve të tij. Mbrojtja e tij është publike.
Vlerësimi i punimit
Në përfundim të çdo mbrojtjeje të punimit, kryetari i komisionit, në prani të anëtarëve, e shpall të suksesshme mbrojtjen dhe i komunikon kandidatit notën, me të cilën është vlerësuar punimi i tij. Nota formohet nga mesatarja e vlerësimit individual të çdo anëtari të komisionit. Ajo regjistrohet në procesverbalin e mbrojtjes së prezantimit final-portofolies. Proces-verbali nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit.
Në rast se mbrojtja me gojë e prezantimit final-punimit shpallet e pasuksesshme (vlerësohet me notë negative) kandidati mund ta rimbrojë të njëjtën tezë ose të mbrojë një tezë të re brenda një periudhe jo më vonë se një vjeçare.
Gjatë periudhës një vjeçare nga koha e përfundimit të studimeve të plota, kandidati ka të drejtë të mbrojë tezën e tij deri në dy herë. Nëse në të dy rastet kandidati është vlerësuar nga komisioni me notë negative ose ai nuk paraqitet për të bërë mbrojtjen e punimit brenda afateve maksimale (dy vjeçare), atëherë kandidati humb të drejtën për t’u certifikuar.
Lëshimi i certifikatës
Kandidati që ka plotësuar të gjitha kërkesat e planit mësimor dhe ka kaluar me sukses në fund të prezantimit të punimit të diplomës, pajiset me certifikatë kombëtare profesionale.
Certifikata kombëtare profesionale duhet të përmbajë të gjitha të dhënat e parapara me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.
Certifikata lëshohet nga Akademia Olimpike e Kosovës, deri gjashtë javë pas përfundimit të studimeve dhe duhet të shoqërohen me shtojcën e certifikatës, që shpjegon më gjerësisht rreth përmbajtjes së kualifikimit të arritur.
Tërheqja e certifikatës bëhet personalisht nga kandidati, kundrejt nënshkrimit dhe evidentohet në regjistrin përkatës. Nëse prania e kandidatit është objektivisht e pamundur, tërheqjen e certifikatës mund ta bëjë një nga pjesëtarët e familjes, i pajisur me autorizim të noterizuar, duke paraqitur dhe letërnjoftimin e tij. Nëse certifikata nuk është plotësuar në rregull, i interesuari duhet të mos e tërheqë atë dhe të kërkojë rregullimin e saj.
Kandidatët që humbasin të drejtën për t’u certifikuar bazuar në këtë rregullore, u lëshohet një vërtetim për vitet e kryera, si dhe pasqyra e notave, ku shënohen të gjitha lëndët me kreditë e fituara dhe nota përkatëse, si dhe nota mesatare.