Për dy ditë me radhë, KOK-u ka mirëpritur rreth 30 administratorë vendorë e ndërkombëtarë të cilët diplomuan në kursin e avancuar evropian për administratorë të sportit (S2ABC), të cilin krahas vendeve të Evropës, e vijuan edhe pjesëmarrës nga Kosova.
Në mesin e të diplomuarve ishin edhe përfaqësuesit e KOK-ut, drejtori për financa, Endrit Syla dhe udhëheqësja e Departamentit Ligjor, Blerina Imeri.
Përfaqësues tjerë nga Kosova ishin Granit Rugova e Artina Hasani (basketboll) dhe Valon Nikçi (volejboll).
Ceremonia u mbajt në zyret e KOK-ut, ku pjesëmarrës ishte edhe presidenti Ismet Krasniqi, i cili krahas ndarjes së diplomave, priti administratorët dhe i përgëzoi administratorët për përfundimin me sukses të kursit, i cili ka rëndësi të veçantë për ngritjen e kapaciteteve të organizatave sportive.
Kursi u organizua nga organizata ndërkombëtare EOSE, ndërsa u financua nga programi i Bashkimit Evropian: “Shkëmbimi dhe mobiliteti në sport”. Temat kryesore të programit ishin: Menaxhimi i projekteve, financat dhe burimet njerëzore.
Krahas diplomimit, u mbajt edhe moduli i fundit, në të cilin ligjëruan Kristie Simpson nga Universiteti i Chesterit në Britani të Madhe dhe njëherit presidente e EOSE-së dhe Aurelien Favre, drejtor ekzekutiv i EOSE-së.
Nga vendorët ligjërues ishte edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, i cili prezantoi planin strategjik të KOK-ut dhe sistemin e sportit në Kosovë.
Bartës i projektit për Kosovë ishte Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit.