Një e artë dhe një e bronztë është bilanci i medaljeve të fituara nga ekipi olimpik i xhudos në Grand Slamin e mbajtur në Paris të Francës.
Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, fitoi medaljen e artë në kategorinë -52 kilogramë. Ajo arkëtoi edhe 1 mijë pikë olimpike, për t’u forcuar edhe më shumë në vendin e parë të renditjes botërore dhe olimpike.
“Parisi tashmë mirë e fuqishëm e njeh Kosovën tonë! Edhe një herë shqip në ‘Bercy Paris’ kësaj radhe Distria e artë! Performancë e bukur e Disit, në garën më të bukur me përplot shikues me siguri mbi 15 mijë!”, shkroi trajneri Driton Kuka për të artën e Krasniqit.
Akil Gjakova fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -73 kilogramë, duke shkëlqyer me pesë fitore në një konkurrencë tejet të fortë. Ai fitoi edhe 500 pikë olimpike.
Në të njëjtën kategori, Dardan Cena, pati njërën prej paraqitjeve më të mira në karrierë, duke shënuar tri fitore radhazi, por që më pas u ndalë në çerekfinale dhe në repesazh. Cena doli i shtati.
E suksesshme ishte edhe Nora Gjakova, e cila ishte e pafat në luftën për të bronztën, duke përfunduar në vendin e pestë të kategorisë -57 kg. Në këtë kategori garoi edhe Flaka Loxha, e cila u ndal në raundin e tretë.
Pengesë e pakalueshme e raundit të tretë ishte edhe për Shpati Zekajn (-100 kg) dhe Loriana Kukën (-78 kg) dhe Laura Fazliun (-63 kg), e cila nuk e kishte ditën më të mirë të saj. Të tre shënuan nga një fitore.