KOK organizoi konferencën “Forumi për Sportin”, në kuadër të Javës Evropiane të Sportit

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, ka organizuar sot edicionin e pestë të konferencës “Forumi për Sportin”, që u mbajt në kuadër të Javës Evropiane të Sportit 2023.


Presidenti i KOK-ut, duke bërë thirrje që të jemi sa më aktivë (BeActive), që ëshë edhe motoja e Javës foli për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe organizimit të forumit ndërkombëtar Platforma Evropiane e Sportit 2024, për të cilat tha se të gjithë bashkërisht synojmë të jemi shembull i organizimit dhe frymëzim për të tjerët.


Koordinatori nacional i Javës Evropiane të Sportit në Kosovë, Ibër Alaj, foli për aktivitetet e organizuara dhe rëndësinë që ka marrja me aktivitete fizike.


Konferenca u zhvillua në formë të panelit, ku në panel krahas Alajt, ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, drejtori i sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova, trajnerja e gjimnastikës, Abeliana Bregu dhe gjyqtarja e tenisit, Blearta Ukëhaxhaj, njëherit ambasadore e Kosovës për promovimin e vlerave olimpike në garat e EYOF-it.


Panelistët folën për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe të qenit aktivë me aktivitete fizike, derisa të pranishmit, që kryesisht ishin drejtues të federatave sportive, përfaqësues të MKRS, dekani i FEFS, Musa Selimi, patën mundësinë të diskutojnë për LM Prishtina 2030, duke kërkuar njëkohësisht sqarime të nevojshme në lidhje me mënyrën e organizimit dhe investimeve që do të bëhen nga Qeveria e Kosovës.


Aktiviteti u përcjell edhe me video të Javës Evropiane të Sportit.