Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Ta Pastrojmë Kosovën”, kanë shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Sportit dhe Ambientit.
Krahas drejtuesve të KOK-ut dhe TPK-së, në aktivitetin e organizuar në hapësirën e Spitalit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), morën pjesë drejtuesit e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Spitalit të Onkologjisë, të Departamentit të Sportit (DS) në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport (MKRS), drejtues të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, sportistë, mjekë, pacientë, derisa aktivitetin e begatuan edhe grupi “Merakli të Biçikletave”, grupi muzikor Okarina, zhongleri Agim Agushi, etj.
Presidenti Krasniqi, duke folur për rëndësinë e kësaj dite, inkurajoi të gjithë që të kujdesen për ruajtjen e ambientit dhe të mbjellin pemë, në mënyrë që të kontribuojmë së bashku në shëndetin e familjarëve tanë, e kryesisht fëmijëve, të cilët çdo ditë zhvillojnë aktivitete të ndryshme sportive.
![](https://noc-kosovo.org/wp-content/uploads/2023/06/bkt_baner-2-1024x146.jpg)
“Sot do të mbjellin Pemën Olimpike, në mënyrë që bashkërisht të përçojmë mesazhin për të ruajtur ambientin tonë të pastër, të sigurtë dhe të shëndetshëm, e sidomos në vende të ndieshme siç është sot QKUK-ja, si dhe vendet tjera ku zhvillohen kryesisht aktivitetet sportive”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi.
Thirrje për të ruajtur ambientin si njërin nga mjetet për shëndetin tonë bënë edhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, drejtori i spitalit të Onkologjisë, Ilir Kurtishi, Luan Hasanaj, drejtor ekzekutiv i TPK-së, Fitim Arifi, drejtor i DS të MKRS-së, etj.
Më pas, të pranishmit mbollën Pemën Olimpike 2021, si dhe dhjetëra drunj në hapësirën e spitalit të Onkologjisë. Për nevojat e pacientëve në këtë spital, KOK ndau edhe një biçikletë, e cila u mirëprit nga drejtuesit e këtij spitali.