Pesë Komitete Olimpike Kombëtare, të Kosovës, Shqipërisë, Francës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, kanë nënshkruar sonte memorandumin e bashkëpunimit “Balkan Cooperation 5”.
Memorandumi u nënshkrua në zyret e reja të KOK-ut në Prishtinë, nga i pari i lëvizjes olimpike në Kosovë, Ismet Krasniqi, nënpresidenti i KO të Francës, Pierre Siutat, presidenti i KOKSh-it, Fidel Ylli, presidenti i KO të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevski dhe sekretari i përgjithshëm i KO të Malit të Zi, Igor Vushuroviq.
Memorandumi parasheh bashkëpunim në çështje të ndryshme që lidhen me Lojërat Olimpike Paris 2024, por edhe pas tyre, pasi do të zgjatë deri në vitin 2028.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e quajti historike ditën e sotme, për shkak se katër komitete fqinje po e nisin një bashkëpunim të fuqishëm me mikritësit e Lojërave Olimpike Paris 2024, derisa shtoi se edhe në Francë Kosova do të lë gjurmë në suksese të reja.
I pari i KOKSh-it, Fidel Ylli, kërkoi nga pesë përfaqësuesit e lartë të KO, të operojnë së bashku, sepse kur të gjithë bashkojnë idetë, vendet ballkanike kanë potencial të jashtëzakonshëm qoftë në basketboll, volejboll, mundje, peshëngritje, xhudo, atletikë, not dhe në shumë sporte individuale. Ai shtoi se që takimi i radhës të ndodh në Tiranë.
I dyti i KO të Francës, Pierre Siutat, njëherit kryetar i Federatës së Basketbollit të Francës, dhe kandidat për kryetar të FIBA Evropës, foli për rëndësinë që ka për Francën nënshkrimi i këtij memorandumi, përmes të cilit krijojnë kushte më të mira për miqtë e rinj para dhe gjatë LO Paris 2024, derisa u shpreh i impresionuar me nivelin e sportit në vendin tonë.
Presidenti i KO të Maqedonisë së Veriut, Dimevski theksoi se ky bashkëpunim, me përkrahjen edhe të Francës, do të jetë një nismë e krijimit të një grupi për të aplikuar për organizimin e ngjarjeve të ndryshme të përbashkëta.
Sekretari i përgjithshëm i KO të Malit të Zi, Vushuroviq, u shpreh i entuziazmuar që Kosova ka arritur kaq shumë suksese, duke pasur vëmendjen tek baneri prapa konferencës, në të cilin ishin tri kampionet tona olimpike, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Gjatë ditës, përfaqësuesit që për dy ditë vizituan KOK-un, takuan edhe trajnerin e tri kampioneve olimpike, Driton Kuka.
Gjatë ditës, drejtuesit e KOK-ut, përfshirë sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti, kanë zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësuesit e të gjitha KO, posaqërisht me delegacionin nga Franca.