U nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi me UP-në

Me rastin e shënimit të 23 qershorit – Ditës Olimpike, Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nënshkrimi i Memorandumit do t’i mundësojë KOK-ut, shfrytëzimin e hapësirave të kampusit të këtij Universiteti për pesë vitet e ardhshme.

Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema. Të pranishëm ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv, Imer Rama.


Rektori i Universitetit të Prishtinës, u shpreh se përmes këtij Memorandumi, UP dhe KOK-u do të vazhdojnë bashkëpunimin për mbjelljen e pemëve Olimpike për 5 vitet e ardhshme.

“Sot jemi këtu për të nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit, një aktivitet që KOK-u e ka përkrahë fuqishëm. Aktiviteti ka të bëjë me mbledhjen e drunjve, lisave që të bëjmë një kampus të gjelbër, një kampus të bukur që rrit bukurinë e Prishtinës. KOK ka shprehur dëshirën që ta ndihmojë në këtë aktivitet”, tha Dema.

Presidenti Hasani, duke falënderuar rektorin Dema për bashkëpunimin e frytshëm ndër vite, theksoi se kampusi universitar do të pasurohet edhe më shumë me mbjelljen e Pemëve Olimpike.

“Do t’i mbjellim çdo vit nga 200 drunjë. Këto janë pemë Olimpike dhe secila do të jetë e veçantë, sepse secila do ta ketë emrin e një sportisti, trajneri apo drejtuesi të sportit, normalisht edhe të institucioneve tjera që na mbështesin, me të cilat ne kemi një mision të përbashkët zhvillimor dhe në këtë drejtim vërtetë ne kemi bashkëpunuar mirë”, tha Hasani.

Bashkëpunimi mes dy institucionesh daton prej vitesh.