Në vazhdën e nënshkrimit të memorandumeve me komunat prej nga vijnë bursistët olimpikë Tokyo 2020, Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi edhe me Komunën e Vitisë për sportistët, Urata Rama dhe Drilon Ibrahimi.
Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili priti drejtuesit e KOK-ut, në mungesë të kryetarit Sokol Haliti, që ndodhej jashtë vendit. Presidenti Hasani shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, Ramadan Selimi.
Të pranishëm në takimin me nënkryetarin Aliu ishin edhe shenjëtarët, Urata Rama dhe Drilon Ibrahimi, të cilët vijnë nga kjo komunë.
Në bazë të këtij memorandumi, të dy shenjëtarët që vijnë nga kjo komunë, do të financohen nga Komuna e Vitisë me nga 100 Euro në muaj deri në fund të ciklit olimpik 2020.
Komiteti Olimpik i Kosovës përmes Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, u jep të dy sportistëve nga 150 dollarë në muaj, kurse nga buxheti i vet ndanë nga 100 Euro tjera.
Presidenti Hasani e njoftoi nënkryetarin Aliu edhe me Rregulloren, e cila përcakton kriteret, procedurat dhe formën e vërtetimit të sponsorizimit në sport.
Nënkryetari Aliu falënderoi drejtuesit e KOK-ut për vizitën derisa shprehu gatishmëri të lartë për të ndihmuar sportistët e kësaj komune, të cilët i quajti ambasadorët më të mirë të vendit.