+383 38 222 223 / [email protected]

KOK nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Komunën e Kamenicës për tre bursistët olimpikë

Pas Komunës së Gjilanit, Komiteti Olimpik i Kosovës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi edhe me Komunën e Kamenicës, e cila bëhet bashkëfinancuese me KOK-un për tre bursistët olimpikë, të cilët vijnë nga kjo komunë: Musa Hajdari, Vijona Kryeziu dhe Astrit Kryeziu.
Memorandumi u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Të tre atletët e klubit Rogana nga Kamenica, do të përfitojnë nga Komuna e Kamenicës nga 100 euro në muaj, e cila kontratë vlen deri në ciklin olimpik Tokyo 2020.
Krahas kësaj, KOK-u, falë projektit të fituar në Solidaritetin Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që nga shtatori i vitit të kaluar i jep nga 150 dollarë në muaj këtyre sportistëve, kurse nga buxheti i vet i ndanë edhe nga 100 euro tjera në muaj.
Pjesë e takimit ishin edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj dhe zyrtarë tjerë të kësaj Komune.
Presidenti Hasani e njoftoi kryetarin Kastrati se komuna që ai drejton është e treta pas Prishtinës dhe Pejës për nga numri i sportistëve të përzgjedhur nga Bordi Ekzekutiv i KOK-ut, si sportistë potencial për të fituar normën olimpike Tokyo 2020.
Po ashtu, drejtuesit e KOK-ut informuan kryetarin Kastrati edhe me benefitet që sjell Ligji për Sponsorizim, nga të cilët kërkuan të nxisin bizneset e Komunës së Kamenicës, të investojnë në sport.
Palët biseduan edhe për organizimin e Panairit të Sportit 2018, që mbahet në shtator në kuadër të Javës Evropiane të Sportit, si dhe organizimin e Ditës Olimpike në Kamenicë, që mbahet më 25 maj 2018.
Kryetari Kastrati duke falënderuar drejtuesit e KOK-ut për iniciativën e marrë me rastin e sqarimit të Rregullores për Ligjin për Sponsorizim, ku krahas krerëve të Komunës, Rregullorja iu sqarua edhe bizneseve dhe klubeve, shprehu gatishmërinë për të ndihmuar klubet dhe sportistët e Kamenicës.
Kastrati ndër të tjera theksoi se ai dhe komuna që drejton krenohen me atletët e Roganës dhe talentët e shumtë që burojnë nga kjo komunë.