31 vjet nga themelimi i KOK-ut

27 maji shënon një prej datave historike të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK).

Pikërisht sot, 31 vjet më parë, u themelua institucioni më i lartë sportiv në vend, që ndryshe njihet edhe si ‘ombrella’ e sportit në vendin tonë.

Më 27 maj të vitit 1992, në rrethana të jashtëzakonshme, kontribues të shumtë të sportit, u mblodhën në objektin e Rilindjes në Prishtinë, për të themeluar Komitetin Olimpik të Kosovës.

Themelimin e KOK-ut, dashamirët e sportit, si edhe vetë sportistët, e kishin pritur me një kënaqësi të madhe, duke e quajtur moment historik, sepse në këtë formë po i rezistonin okupuesit serb, që tentonte të ndalonte çdo veprimtari sportive.

KOK ndihet thellësisht mirënjohës për gjithë ata kontribues, të cilët morën pjesë në mbledhjen konstituive, dhe të cilët i thanë PO themelimit të KOK-ut.

Sot, 31 vjet më pas, kujtojmë edhe thënien e dalë nga ajo mbledhje se “sa e këndshme do të jetë dita kur sportistët kulminantë kosovarë, do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike, duke përfaqësuar Kosovën”, ëndërr kjo që u bë realitet në LO Rio 2016, ku u fitua një medalje e artë olimpike me heroinën Majlindë, dhe u vazhdua me të artat e Distrias dhe Norës në Tokio 2020.

31 vjet më pas, dhe vetëm tetë vjet e gjysmë që prej anëtarësimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, jemi afër të shkruajmë një tjetër histori, për të marrë organizimin e një ngjarje të madhe shumësportëshe, siç janë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Me entuziazmin, punën dhe përkushtimin e komunitetit tonë të sportit, bashkarisht do t’ia dalim që me suksese në garat më të mëdha sportive, Kosovën ta përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ismet Krasniqi

President i KOK-ut