+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

11 vjet nga anëtarësimi në familjen e madhe olimpike

Sot shënojmë 11 vjet nga anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, një prej momenteve më historike për sportin tonë. Ky përvjetor na kujton se sa larg kemi ardhur dhe sa shumë kemi arritur brenda një kohe të shkurtër.


Në këto 11 vjet, sportistët tanë kanë shkëlqyer në arenën ndërkombëtare duke i dhënë Kosovës pesë medalje olimpike, të cilat mbeten ndër sukseset më të mëdha që ka përjetuar vendi ynë. Përveç tyre, janë dhjetëra medalje botërore, evropiane e mesdhetare, që dëshmojnë për rritjen e vazhdueshme, talentin dhe përkushtimin e secilit prej tyre.



Po aq e rëndësishme është edhe përgjegjësia dhe nderi që kemi marrë me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një projekt madhor që e vendos Kosovën në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme shumë-sportëshe në botë.



Puna, përkushtimi dhe sukseset në arenën ndërkombëtare bënë që pikërisht një vit më parë, në jubileun e anëtarësimit në IOC, vendin tonë ta vizitonte për herë të dytë presidenti i atëhershëm i IOC, Thomas Bach, i cili u nderua në mënyrën më të mirë të mundshme për kontributin e tij madhor ndaj lëvizjes olimpike në Kosovë. Bach, tashmë ish-president, do të mbetet përgjithmonë në historinë e sportit tonë si personaliteti që, me vizionin dhe vendimmarrjen e tij, i hapi dyert që sportistët tanë të garojnë të barabartë në arenën ndërkombëtare.



Ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur pa punën e palodhur të federatave sportive, trajnerëve, kontribuesve të sportit dhe, mbi të gjitha, pa suksesin e sportistëve që e kanë ngritur flamurin tonë në podiumet më prestigjioze.



Në emrin tim dhe të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, ju falënderoj dhe ju uroj të gjithëve për kontributin që po jepni për përfaqësimin sa më të mirë të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.


Le të vazhdojmë së bashku ndërtimin e një të ardhme edhe më të ndritshme për sportin e Kosovës.


Urime 11-vjetori i anëtarësimit në IOC!


Me respekt,
Ismet Krasniqi
President i Komitetit Olimpik të Kosovës