KOK dhe MKRS takojnë federatat e sporteve ekipore për koordinim të LM Prishtina 2030

Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport, kanë mbajtur sot takim me drejtuesit e federatave të sporteve ekipore, të cilat do të përfaqësohen në Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.


Të pranishëm në takim ishin: Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani, u.d. drejtor ekzekutiv i Agjencisë për Sport në MKRS, Fidan Shatri, kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikçi dhe drejtori i projekteve dhe programeve zhvillimore në Federatën e Basketbollit të Kosovës, Granit Rugova.


Qëllimi i takimit ishte diskutimi i strategjisë së përbashkët të punës për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, ku synimet janë që krahas sporteve individuale, suksesi të arrihet edhe në sportet ekipore.


Sportet ekipore, të cilat do të përfaqësohen në LM Prishtina 2030 janë, hendbolli, volejbolli, basketbolli 3X3 dhe futsalli, të gjitha këto në konkurrencën e meshkujve dhe femrave.