Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën udhëheqjen e presidentit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 14-të të tij, në të cilën shqyrtoi pika të ndryshme të Rendit të Ditës.
Vendimet e dala nga mbledhja janë si në vijim:
– Në mbledhje të ftuar ishin edhe ekspertë ndërkombëtarë nga Sllovenia, Prof. Dr. Edvar Kolar, Prof. Dr. Rado Pisot, Dr. Janez Dekleva dhe Mitja Valiq, të cilët prezantuan para BE-së planin e tyre për të ndihmuar në hartimin e planit strategjik të KOK-ut, 2023-2025.
– U diskutua për përgatitjet e sportistëve për Lojërat Mesdhetare Oran 2022, me ç’rast u vendos që t’u mundësohet sportistëve, që përgatitjet t’i bëjnë edhe në vendet e rajonit, duke ua mbuluar shpenzimet KOK-u.
– U konstatua se përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Oran 2022 po shkojnë sipas dinamikës së paraparë. Oran 2022 mbahet prej 25 qershor – 6 korrik 2022. Ekipi mesdhetar i Kosovës përbëhet nga 40 sportistë.
– U konstatua se përgatitje për Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj (EYOF) Banjska Bistrica 2022, po shkojnë sipas planit të paraparë.
– Boksieres, Donjeta Sadiku, e cila fitoi medaljen e bronztë të botës në boks, iu ngrit bursa olimpike Paris 2024 nga 300 dollarë në 600 dollarë në muaj.
– U diskutua për Ditën dhe Javën Olimpike, e cila do të mbahet prej 13-17 qershor 2022. 26 komuna do të organizojnë aktivitete për nder të Ditës Olimpike.
– U diskutua për komisionin për plotësim ndryshimet e rregullores së kategorizimit të sportit, sportistëve dhe trajnerëve nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. U vendos që anëtari i BE-së, Agron Mala, të përfaqësojë KOK-un në komision.
– Xhudistja Laurina Gashi u shtua në listën e Shpresave Olimpike 2022
– Xhudistet Distria Krasniqi e Laura Fazliu, u rekomanduan për shpërblim në MKRS, pas suksesit në Kampionatin Evropian, sikurse boksierët Taulant Jakupi e Donat Syla, që fituan medalje në Kampionatin Evropian të të Rinjve.