Organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mbajtur tryeza e katërt për sportin, në të cilën krahas drejtuesve të KOK-ut, presidentit Ismet Krasniqi e sekretarit të përgjithshëm, Besim Aliti, mori pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, drejtuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës dhe federatave sportive.
Rëndësi të veçantë gjatë diskutimit pati edhe prezantimi i protokollit për përfaqësim të Kosovës jashtë vendit dhe prezantimi i konceptit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, të cilin e bëri sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.
Një prej pikave të takimit ishte prezantimi i draft konceptit të Projektligjit të Sportit. U paraqitën katër qëllimet kryesore: zhvillimi i sportit; përcaktimi i rregullave të funksionimit dhe organizimit të sportit në Kosovë; detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve dhe organizatave në fushën e sportit; si dhe mbrojtja e të drejtave të të gjithë atyre që përfshihen në veprimtari sportive.
Drafti i fundit i strategjisë së parë shtetërore për zhvillimin e sportit, për vitet 2023 – 2030, gjithashtu u prezantua gjatë ditës së sotme.
Faleminderit të gjithë atyre që ishin prezent dhe dhanë idetë e kontributin e tyre në këtë takim, të mbajtur në Prizren