U mbajt Asambleja e Punës së KOK-ut për vitin 2022, u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ka mbajtur sonte Asamblenë e Punës për vitin 2022. Të pranishëm në Asamblenë e mbajtur në Hotel Emerald, ishin 103 delegatë nga 113 sosh.

Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, e quajti vit tejet të suksesshëm 2022-tën, duke thënë se buxheti i KOK-ut është rritur për pothuajse 100 për qind, të hyra këto që shkojnë kryesisht për sportistë dhe aktivitetet e KOK-ut në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Presidenti Krasniqi foli edhe për të arriturat tjera të KOK-ut, sponsorët e rinj, projektet e ndryshme të fituara, renovimin e zyreve, si dhe dërgimin e aplikimit për të organizuar Lojërat Mesdhetare të vitit 2030.


Në emër të Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, foli Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit, i cili vlerësoi bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, derisa uroi që KOK të realizojë të gjitha projektet e parapara sipas planit të veprimit.

Para pjesë së punës, asambleistët nderuan të gjithë kontribuesit e sportit, të cilët u ndanë nga jeta në vitin e kaluar.

Me shumicë votash u miratuan: Rendi i ditës, procesverbali i Asamblesë së Punës 2021, raporti i punës 2022, raporti financiar 2022, raporti i auditimit 2022, raporti i këshillit mbikëqyrës të KOK-ut 2022, raporti i punës së këshillit të arbitrazhit sportiv (KAS) për vitin 2022 dhe raporti i punës për KosADA për vitin 2022.

Në asamble u miratuan edhe rregullore të ndryshme si: Rregullorja mbi punën e këshillit mbikëqyrës të KOK-ut, rregullorja mbi punën e komisionit të sportit të KOK-ut, dhe rregullorja mbi punën e këshillit të arbitrazhit sportiv (KAS).

Krejt në fund, u votuan edhe plani i veprimit për vitin 2023, plani financiar per vitin 2023, plani strategjik për periudhën 2023 – 2028.

Në pikën “Të ndryshme”, u diskutua për situatën e Federatës së Notit të Kosovës dhe Federatës së Taekwondosë së Kosovës.

Pas dorëheqjes së Leart Hoxhës nga këshilli mbikeqyrës i KOK-ut, me vota të fshehura u zgjodh Veton Telaku nga Federata e Notit e Kosovës, me 49 vota, kundrejt Elvira Dushkut të basketbollit, që mori 30.

Asambleja kaloi në frymë sportive, me diskutime të shumta të asambleistëve, të cilët kishin mundësinë të diskutonin për pika të ndryshme të rendit të ditës.