Është hapur edhe zyrtarisht Java Olimpike 2023, në të cilën do të organizohen aktivitete të ndryshme në promovimin e vlerave olimpike.
Java Olimpike organizohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Sportit Shkollor të Kosovës, Federatën e Sportit Universitar, komunat dhe institucionet parafillore.
Në shënimin e kësaj jave janë bashkuar 25 komuna, të cilat do të organizojnë aktivitete të ndryshme me fëmijë.
Me këtë rast, KOK organizoi konferencën për media, në të cilën shpalosën detaje, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, kryetari i komisionit për organizimin e Javës dhe Ditës Olimpike, Halil Sylejmani dhe sekretari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Agron Dubovci.
Prej 12 qershorit e deri me 16 qershor do të promovohen vlerat olimpike nëpër institucione parafillore, kurse komunat do të organizojnë edhe aktivitete tjera me nxënës të shkollave fillore.
Dita kryesore, është të premten, kur do të shënohet Dita Olimpike 2023. Gjatë kësaj dite do të bëhet prezantimi i ekipit të Kosovës pjesëmarrës në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane Krakoë dhe Malopolska 2023.
Pikërisht shkaku i Lojërave Evropiane, Java dhe Dita olimpike në Kosovë po organizohen më herët, pasi Dita Olimpike zakonisht shënohet më 23 qershor, datë kjo që shënon themelimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe vendimin për ringjalljen e Lojërave Olimpike Moderne.