Tre boksierë kërkojnë normën olimpike Paris 2024 në turneun kualifikues botëror

Tre boksierët tanë, Donjeta Sadiku dhe vëllezërit Shpetim e Bashkim Bajoku, ndodhen në Arsizio të Italisë, ku prej nesër e deri më 11 mars mbahet turneu i parë kualifikues botëror për Lojërat Olimpike Paris 2024.


Boksierët tanë do të kërkojnë normën olimpike, të parën ndonjëherë për sportin e boksit në Kosovë.


Për ta fituar biletën, Sadikut, që garon në kategorinë -60 kg, i duhet të përfundojë në njërën nga tri pozitat e para, që nënkupton se edhe arritja në gjysmëfinale nuk siguron kualifikimin, pasi duhet zhvilluar lufta për vendin e tretë.


Sot është hedhur edhe shorti, ku Donjeta përballet me Shona Whitwell të Britanisë së Madhe, me të cilën ka një fitore dhe një humbje. Fitoren e realizoi në Lojërat Evropiane Krakow 2023. 


Për dallim nga Sadiku, Bajokëve iu mjafton kualifikimi në gjysmëfinale për të siguruar biletën për Paris.


Bashkimi garon në kategorinë -51 kg, ndërsa Shpetimi në -63.5 kg.


Në rrethin e parë, Bashkimi do të luftojë me Ari Bonilla të Meksikës, ndërsa Shpetimi rrethin e parë e kaloi pa luftë.


Sipas sekretarit të përgjithshëm të FBoxK, Latif Demolli, shorti është relativisht i mirë, përveç Shpetim Bajokut, që në raundin e dytë mund të përballet me Mirzakhid Imamnazarov të Kirgistanit.


Iu urojmë fat dhe suksese garuesve tanë.