+383 38 222 223 / [email protected]

Qeveria miraton programin “Super Sportistët” me buxhet 4 milionë euro për katër vjet

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot programin “Super Sportistët”, përmes të cilit synohet që të rritet numri i normave olimpike dhe medaljeve olimpike për Lojërat Olimpike Los Angjelos 2028.


Programi parasheh mbështetje në vlerë 4 milionë euro për sportistë të rinj të sporteve olimpike.


Ky program, i përpiluar nga profesionistë të fushës, nga KOK-u, MKRS dhe gazetaria sportive, udhëhiqet nga kryemjeshtri i normave dhe medaljeve të arta olimpike, Driton Kuka.


“’Super Sportistët’ ka për qëllim mbështetjen e qëndrueshme të sportistëve të vendit, duke u përqendruar tek sportistët me potencial të lartë për të arritur suksese në arenën ndërkombëtare sportive”, ka thënë ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku.


Zëvendësministrja Daulina Osmani, ka shtuar se krahas LA 2028, përmes programit synohet edhe rritja e numrit të medaljeve në Kampionate Botërore, Evropiane dhe Lojërat Mesdhetare.


Miratimi i programit është mirëpritur edhe nga KOK-u, me ç’rast presidenti Ismet Krasniqi, ka deklaruar se mbështetja e tillë, krahas bursave olimpike dhe shpresave olimpike, tregon përkushtimin e Qeverisë dhe KOK-ut për të avancuar edhe më tej sportin, me theks të veçantë numrin e normave dhe medaljeve olimpike.