Komisioni vlerësues për LM Prishtina 2030, po qëndron në Kosovë

Delegacioni i komisionit vlerësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), i kryesuar nga presidenti i Komitetit Olimpik të Maltës, Julian Pace Bonello, dhe sekretari i përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis, janë pritur nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrat e Qeverisë, si dhe drejtuesit e KOK-ut dhe ministri Hajrullah Çeku.

Delegacioni i ICMG-së po qëndron në Kosovë për të shqyrtuar dosjen e kandidaturës së Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Ata gjithashtu po bëjnë vlerësimin e gjendjes në terren si dhe po zhvillojnë takime me krerët institucionalë dhe komunitetin sportiv.


Mbështetjen e fuqishme që Qeveria po jep për organizimin e LM, e konfirmoi kryeministri Kurti, në takimin e zhvilluar me ministrat Hajrulla Çeku, Hekuran Murati, Elbert Krasniqi, zëvendësministren Daulina Osmani, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe Besim Aliti, zyrtarja për marrëdhënie ndërkombëtare, Rejhan Halili, si dhe anëtarët e komisionit vlerësues.


Në KOK u pritën nga presidenti, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, si dhe ministri Çeku e zëvendësministrja Daulina Osmani.


Gjatë ditës së sotme ata janë mirëpritur edhe nga nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj dhe drejtori i sportit, Granit Rugova.


Konsolidimi i imazhit të shtetit, forcimi i identitetit, modernizimi i infrastrukturës fizike, nxitja e ekonomisë me mundësi të reja pune dhe e turizmit sportiv, përmirësimi i politikave sociale dhe arritja e zhvillimit të qëndrueshëm në sport duke shfaqur rezultatet tona kulminante sportive në botë, janë disa nga përfitimet direkte të organizimit të LM në Kosovë, për çka jemi duke treguar gatishmëri të plotë.


Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë.