Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti dhe nënpresidenti, Milaim Kelmendi, kanë pritur sot udhëheqësit e Olimpiadës Speciale për Evropë/EuroAzi, presidentin David Evangelista dhe nënpresidenten Martha Jo Braycich, të cilët po e vizitojnë Kosovën.
Mysafirët shoqëroheshin nga udhëheqësit e Olimpiadës Speciale në Kosovë (OSK), të kryesuar nga drejtoresha nacionale, Drita Dushi, të cilët paraprakisht kishin nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me MKRS-në.
Presidenti Krasniqi përgëzoi falënderoi mysafirët për vizitën, derisa i njohu me sfidat dhe sukseset e KOK-ut, funksionimin e sistemit të sportit në Kosovë, si dhe shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim në zhvillimin dhe promovimin e Olimpiadës Speciale në Kosovë.
Nga ana e tij, presidenti Evangelista, duke falënderuar KOK-un për mikpritjen, kërkoi bashkëpunim të mëtutjeshëm mes KOK-ut dhe OSK-së, si dhe ftoi drejtuesit e KOK-ut në Olimpiadat Speciale, që do të mbahen vitin e ardhshëm, ajo dimërore në Torino dhe Olimpiadat Speciale të sporteve verore.
Palët kanë diskutuar edhe për gjetjen e urave të bashkëpunimit me KOK-ut dhe OSK-së, në interes të promovimit të aktiviteteve dhe sportistëve që përfaqësojnë vendin tonë në garat ndërkombëtare.
Krejt në fund, u bë e ditur që Olimpiada Speciale në nëntor të këtij viti pritet të organizojë Lojërat Rajonale në Kosovë, me pjesëmarrjen e shteteve të Rajonit, gjë që u mirëprit edhe nga KOK-u.