KOK ka organizuar sot punëtorinë për luftën kundër diskriminimit në sport, me ç’rast është prezantuar manuali për luftimin e kësaj dukurie.
Prezantimin e manualit në detaje e bëri avokati për çështje sportive nga Italia, Salvatore Civali.
Manuali si kornizë ligjore, qëllim primar ka mbrojtjen dhe trajtimin e barabartë të sportistëve, trajnerëve, delegacioneve të ekipeve dhe çdo akteri tjetër sportivë në Kosovë të cilët marrin pjesë në ngjarje ndërkombëtare.
Manuali është instrument ligjor dhe operativ i cily synon ç’rrënosjen e çdo shkelje apo mosrespektim të së drejtës themelore për të praktikuar sportin në arena ndërkombëtare dhe ku parashihen procedura dhe mekanizma mbrojtës sipas Kartës Olimpike.
Viteve të fundit, kjo problematikë ishte shpeshtuar pikërisht nga vendet që e lidhin politikën me sportin, duke arsyetuar vendimet e tyre me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Krahas Civalit, për rëndësinë e këtij manuali dhe luftën kundër diskriminimit në sport, folën edhe udhëheqësja e Divizionit për KOK dhe federatat sportive në MKRS, Afërdita Fazlija dhe udhëheqësja e zyrës ligjore në KOK, Blerina Imeri.
Të pranishmit që kryesisht vinin nga federatat sportive, shfaqën problematikat e ndryshme të tyre në garat ndërkombëtare, duke diskutuar me avokatin Civali për hapat që duhet të ndërmerren për të shmangur me kohë diskriminimin ndaj sportistëve tanë.