KOK organizoi Platformën Evropiane të Sportit 2024

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në bashkëpunim me Organizatën Jo Qeveritare Sportive të Evropës (ENGSO), organizoi Platformën Evropiane të Sportit 2024 (ESP 2024), e cila prej 21-23 nëntor 2024 u mbajt në Swiss Diamond Hotel, me pjesëmarrjen e të pranishmëve nga rreth 30 vende të Evropës.


ESP 2024 u zhvillua me temën “Vlerat e sportit: ndërtimi i urave në një Evropë të bashkuar”, ndërsa gjatë tri ditëve folës dhe panelistë të shumtë prezantuan tema në lidhje me: Vlerat në sport, sportin bazë (grassroots), barazinë gjinore, mbrojtja në sport (safeguarding), integriteti, etj, ndërsa të pranishmit patën mundësinë të punojnë në grupe, duke diskutuar tema të ndryshme.


Platforma u hap zyrtarisht nga presidenti i ENGSO-s, Stefan Bergh, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për organizimin e shkëlqyer dhe mikpritjen e ngrohtë nga KOK-u.



“Sporti posedon një fuqi të jashtëzakonshme për të bashkuar komunitetet, për të krijuar lidhje dhe për të promovuar vlera që forcojnë paqen, solidaritetin dhe miqësinë. Platforma Evropiane e Sportit e këtij viti, e organizuar nga anëtari ynë i ENGSO, Komiteti Olimpik i Kosovës, në Prishtinë, përfaqëson një mundësi të vërtetë për të ndërtuar ura për të gjithë ata që janë të përkushtuar për të forcuar sportet bazë në Evropë. Jam mirënjohës ndaj mikpritësve tanë dhe komunitetit të gjerë sportiv evropian për bërjen e këtij takimi frymëzues të mundur”, tha Bergh.


Në fjalën e tij, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, duke iu uruar mirëseardhje dhjetëra përfaqësuesve të organizatave të ndryshme sportive të Evropës, mes tyre edhe nga Komitetet Olimpik Kombëtare, si dhe pjesëmarrësve nga Kosova, foli për rëndësinë që ka organizimi i Platformës në vendin tonë.



“Këtu në Kosovë, lëvizja sportive ka luajtur një rol thelbësor në formësimin e identitetit tonë në skenën globale. Sportistët tanë, të cilët kanë përfaqësuar këtë komb me krenari, dëshmojnë ndikimin që sporti mund të ketë në bashkimin dhe frymëzimin jo vetëm të komuniteteve tona, por edhe të kombeve në mbarë Evropën dhe botën. Platforma Evropiane e Sportit na jep mundësinë të bashkohemi dhe të forcojmë lëvizjen sportive në nivel bazë (grassroots)—një lëvizje që prek jetën e miliona njerëzve, duke nxitur ndjenjën e përkatësisë dhe qëllimit”, tha i pari i KOK-ut.


Në emër të Qeverisë foli drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, i cili konfirmoi mbështetjen e Qeverisë për sportin dhe konkretisht KOK-un dhe zhvillimin e sportit bazë në vendin tonë. “Ne do ta bëjmë Evropën më të fortë dhe më të bashkuar përmes gjuhës së sportit”

Mes folësve të shumtë ishte edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, i cili prezantoi konceptin e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe legjenda e futbollit mbarë shqiptar, Lorik Cana, i cili foli për fondacionin “Lorik Cana 5”, që ka të bëjë me zhvillimin e sportit bazë (grassroots).



Në përfundim të Platformës, u bë edhe dorëzimi i flamurit të ENGSO-s nga presidenti i KOK-ut Ismet Krasniqi për presidentin e Federatës së Unionit Sportiv të Katalunisë, Gerard Esteva, pasi Barcelona do të jetë mikpritëse.