+383 38 222 223 / [email protected]

KOK dhe BKT Kosova nënshkruajnë kontratë sponsorizimi për 10 vite në vlerë 3 mln. Euro

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe BKT Kosova kanë thelluar bashkëpunimin, duke nënshkruar  kontratë të re sponsorizimi.


Kontrata e re, vlen për 10 vitet e ardhshme, ndërsa vlera e saj totale është 3 milionë euro, që e bënë BKT Kosovën, sponsorin më të madh ndonjëherë në Komitetin Olimpik të Kosovës.


Kontrata u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe Suat Bakkal, kryeshef ekzekutiv dhe Anëtar Bordi në BKT Kosova.


Krahas drejtuesve tjerë të KOK-ut dhe BKT-së, të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj.



Presidenti Krasniqi deklaroi se bashkë me BKT Kosova do të rrugëtojnë drejt Lojërave Olimpike Paris 2024, Los Angjelos 2028, Brisbane 2032, si dhe ngjarjes historike – Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.


“Kemi kënaqësinë që sot po e thellojmë bashkëpunimin me bankën më të mirë në Kosovë. Ne kemi pasur një marrëveshje paraprake dy vjeçare me BKT Kosova, në vlerë 100 mijë euro në vit, kurse me marrëveshjen e re, vlera totale është 3 milionë euro, ose 300 mijë euro në vit. Kjo nuk është e tëra, pasi me BKT Kosova na lidh edhe marrëveshja tjetër përmes kampanjës Be Hero”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi, duke shtuar se përfituesit më të mëdhenj të kësaj marrëveshja janë sportistët dhe vetë sporti i Kosovës.


Kampanja e lansuar javë më parë, ka të bëjë me kredit kartelat visa të BKT Kosova, ku çdo kush që paguan përmes tyre, 1 për qind shkon në llogarinë e KOK-ut.


Suat Bakkal, drejtor ekzekutiv i BKT Kosova, konfirmoi mbështetjen e palëkundur të BKT Kosovë për sportin në Kosovë, duke njohur arritjet mbresëlënëse të vendit në këtë fushë.


“Ky partneritet i vazhduar më tej kontribuon në zhvillimin dhe promovimin e sportit dhe sportistëve në nivelin më të lartë, për të çuar përpara sportin kosovar dhe sportistët që po shkëlqejnë çdo ditë në fushat e tyre, dhe më e rëndësishmja po bëhen ambasadorë të denjë të vendit. Kosova është shtet i ri dhe tashmë ka fituar tri medalje të arta olimpike. Suksesi i sportistëve Kosovarë ka bërë jehonë në mbarë botën, dhe sporti tani më, po bëhet eksporti më i madh i Kosovës, andaj arritja e kësaj marrëveshje afatgjatë sot na bën ne, BKT Kosovën krenare që jemi pjesë e tregimeve të reja të suksesit në vitet në vijim, theksoi Bakkal.


Ai përmendi edhe kampanjën “Bëhu Hero”, por edhe projekte tjera, përmes të cilave BKT Kosova ka mbështetur sportin në Kosovë.