Drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, si dhe koordinatori i Agjencisë për Anti-Doping në Kosovë (KosADA), Bernard Tahirbegolli, kanë pritur sot drejtorin e WADA-s për Evropë, Sebastien Gillot dhe drejtorin e SloADO (Agjencia e Anti-Dopingut të Sllovenisë), të cilët po e vizitojnë Kosovën.
Presidenti Krasniqi falënderoi mysafirët për vizitën, derisa shprehu edhe një herë gatishmërinë e lartë për të mbështetur KosADA-n.
Drejtori Gillot, që pas tri vitesh po vjen sërish në Kosovë, tha se ka mbetur i impresionuar me progresin e KosADA-së, derisa u shpreh mirënjohës për mbështetjen e KOK-ut, Parlamentit të Kosovës dhe Qeverisë.
Edhe koordinatori i KosADA-s, Bernard Tahirbegolli, u shpreh falënderues për vizitën, derisa foli për rëndësinë që ka sporti i pastër për sportistë tanë, sidomos para Lojërave Olimpike Paris 2024.
Palët biseduan edhe për çështje tjera të avancimit të mëtutjeshëm të KosADA-së.