+383 38 222 223 / [email protected]

Distria Krasniqi dhe Shpetim Bajoku – “Laureatët e Vitit 2022”

Distria Krasniqi dhe Shpetim Bajoku kanë fituar çmimet kryesore në ceremoninë e Laureatëve të Vitit 2022, të organizuar sonte nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Xhudistja Krasniqi u shpall “Sportistja e Vitit”, çmim ky të cilin e fitoi për herë të tretë radhazi, ndërsa boksieri Bajoku “Sportist i Vitit”. Çmimin Krasniqit ia ndau presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa Bajoku pranoi çmimin nga nënpresidenti i KOK-ut, Gazmend Maxhuni dhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani.

Distria gjatë vitit të kaluar, fitoi medaljen e bronztë të botës, të bronztën e Evropës, të artën në Lojërat Mesdhetare Oran 2022 dhe medalje tjera në gara të mëdha.


Në fjalën hapëse, presidenti i KOK-ut vlerësoi lartë të arriturat e sportistëve tanë gjatë vitit 2022, ndërsa foli edhe për mbështetjen që po rritet nga KOK-u për sportistët dhe trajnerët, e që qëllim të përbashkët kanë Lojërat Olimpike Paris 2024.

Presidentja Vjosa Osmani, e cila nderoi ceremoninë me pjesëmarrjen e saj, çmoi të arriturat e sportistëve tanë, të cilët tha se po e përfaqësojnë më së miri vendin tonë, duke lartësuar flamurin tonë.

Zëvendësministrja Osmani, duke vlerësuar rezultatet e arritura, foli edhe për mbështetjen e re që MKRS do ta bëjë për sportistët drejt LO Paris 2924. Bajoku ishte medalist i bronztë në Lojërat Mesdhetare Oran 2022.

Për herë të shtatë radhazi, trajneri i xhudos, Driton Kuka, u shpall “Trajner i Vitit”.

Futbollistit të Kombëtares së Kosovës dhe Mallorcas së Spanjës, Vedat Muriqi, i takoi “Çmimi Special”, tek meshkujt, ndërsa boksieres Donjeta Sadiku i takoi “Çmimi Special” tek femrat. Kombëtarja A e futbollit fitoi çmimin “Kombëtarja e Vitit” tek meshkujt, ndërsa ky epitet, por tek femrat, i takoi Kombëtares A të Hendbollit.

“Shpresa Olimpike” për meshkujt u zgjedh Dardan Cena (xhudo) dhe për vajza Kiana Kryeziu (skitari). Në nderim të punës dhe veprës për kontributin e dhënë në sport, u nderuan tre gazetarët e sportit, tashmë në pension: Agim Kasapolli, Xhavit Kajtazi e Azem Brovina.

KOK nderoi edhe Shoqatën e Kosovës për Kërkim Shpëtim, për misionin humanitar në Turqi, pas tërmetit tragjik që goditi këtë vend, si dhe ekipin e mundjes, që i shpëtuan kësaj fatkeqësije.

Ceremonia u përcoll edhe me pika artistike nga Filharmonia e Kosovës Prezentë ishin edhe kampionja olimpike, Nora Gjakova, ambasadorët e vendeve të SHBA-së, Hungarisë e Kroacisë, personalitete tjera nga sporti, drejtues federatash e ish-sportistë.

Laureatët 2022

Sportistja e Vitit – Distria Krasniqi
Sportisti i Vitit – Shpetim Bajoku
Trajneri i Vitit – Driton Kuka
Çmimi Special (M) – Vedat Muriqi
Çmimi Special (F) – Donjeta Sadiku
Kombwtarja e Vitit (M) – Futbolli
Kombwtarja e Vitit (F) – Hendbolli
Shpresa Olimpike (M) – Dardan Cena
Shpresa Olimpike (F) – Kiana Kryeziu

Video e plotë: https://fb.watch/iWXZ9SiZpg/