KOK në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, kanë organizuar sot “Forumin për Sportin”, aktivitet ky që u mbajt në kuadër të Javës Evropiane të Sportit 2024.
Nën moton e të qenit aktiv (Be Active), forumi u organizua në tri panele të cilat diskutuan për çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e sportit, përfshirjen e të rinjve dhe promovimin e një jete aktive dhe të shëndetshme.
Fillimisht, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, koordinatori nacional për Javën Evropiane të Sportit, Ibër Alaj dhe Musa Selimi, dekan në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS), njëherit anëtar i BE në KOK, folën për rëndësinë që ka marrja me aktivitete sportive, e cila ndikon pozitivisht në përmirësimin e shëndetit.
Alaj dhe Selimi ishin në panelin e parë së bashku edhe me Harald Can nga Universiteti i Vjenës dhe Agron Dubovci nga Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, panel që u udhëheq nga Fitim Arifi, drejtor i Akademisë Olimpike të Kosovës. Në panel u diskutua për temën: “Aktivitetet fizike dhe sportive janë kruciale në promovimin e shëndetit njerëzor”, ku panelistët bënë thirrje për shtim të orëve të edukatës fizike në shkolla.
Në panelin e dytë me temë “Barazia gjinore dhe gjithë përfshirja në sport” folën Afërdita Fazlija, udhëheqëse e Divizionit për Federatat dhe KOK në MKRS, Blerina Imeri nga KOK-u, Luljeta Demolli, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Faton Tishukaj nga FEFS, të cilët kërkuan që barazia gjinore në vendimmarrje të rregullohet edhe me infrastrukturën ligjore.
Në panelin e tretë u diskutua për “Promovimin e shëndetit dhe mirëqenies përmes sportit dhe aktivitetit fizik, një perspektivë e Ballkanik Perëndimor”, ku folësit: Malësor Gjonbalaj (FEFS), Masar Xhaka (Kolegji UBT), Dhimitraq Prifti (Universiteti i Sporteve të Tiranës) dhe Fadil Mahmuti (Universiteti i Tetovës), të cilët u fokusuan në projektin “SHAPE”, ndërsa Rejhan Halili nga KOK-u prezantoi projektet dhe aktivitetet e KOK-ut.
Java Evropiane e Sportit 2024 ka nisur më 23 shtator 2024, derisa aktivitetet do të zhvillohen deri më 30 shtator.

















