Cilat janë kapacitetet tona (infrastruktura/mjetet/burimet njerëzore)?

Akademia Olimpike e Kosovës ka krijuar marrëdhënie kontraktuale me Universitetin e Prishtinës (UP) për shfrytëzimin e ambienteve në objektin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit dhe posedon kushte shumë të mira për realizimin e përmbajtjeve mësimore, kështu që, mësimi teorik dhe praktik zhvillohet në objektin e UP-së, konkretisht në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit.


Kapacitetet ekzistuese infrastrukturore mundësojnë zhvillimin normal të mësimit për rreth 50 kandidatë për çdo vit akademik. Gjatë studimeve, kandidatëve ju mundësohet trajtim i barabartë edhe i veçantë në bazë të specifikave të tyre të parapara në rregullore. Në kuadër të trajtimit fleksibil në rastet të veçanta kur studentët kanë probleme shëndetësore, ka paraparë trajtim të veçantë, varësisht nga situata e cila duhet t’i paraprijë një kërkese me arsyetim të argumentuar. Reagimi ndaj nxënësve mbi performancën e tyre dhe rezultatet e vlerësimeve jepet menjëherë dhe shoqërohet me mekanizma për ndihmë, nëse është e nevojshme.


Metodologji bashkëkohore e punës, mjedis adekuat bazuar në standardet evropiane të cilësisë, me teknologji të avansuar, salla për ushtrime praktike me pajisje të nevojshme dhe material shpenzues për realizimin në përpikëri të tyre. Hapësirat e punës janë të pastërta, të sigurta dhe të dezinfektuara në bazë të rregullave të IKPSHK-së.


Ndershmëria akademike është qeliza kryesore në ruajtjen e integritetit të Akademisë Olimpike të Kosovës dhe bashkësisë së saj. Personeli akademik duhet të bëjë transparent mënyrën e vlerësimit dhe testimet e njohurive të kandidatëve, në metodologjinë e përdorur dhe me rezultatet e tyre.


Akademia Olimpike e Kosovës si prioritet kryesor të saj ka krijimin e një mjedisi pune, i cili ju mundëson të gjithë stafit akademik të zhvillojnë dhe aplikojnë kapacitetet dhe aftësitë e tyre për të mbështetur misionin dhe vizionin e Akademisë Olimpike. Hartimi i planit të avancimit profesional ka qëllim identifikimin e aktiviteteve kryesore të zhvillimit të stafit të harmonizuar me strategjinë aktuale të Akademisë Olimpike të Kosovës.


Akademia Olimpike e Kosovës në strukturën e saj ka staf akademik të kualifikuar, me përvojë të dëshmuar në sferën e sportit, si dhe në mësimdhënie.


Infrastruktura dhe burimet në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit (FEFS)

FEFS është fakulteti më i kompletuar në këtë drejtim, me hapësirë totale prej 2214 m2 dhe është i pajisur me katër dhoma ligjërimi, një dhomë kompjuteri, 15 kabinete për profesorë dhe objekte tjera përcjellëse siç janë:

  • Tri salla sportive për lojëra (Palestra e FEFS, Palestra 1 Tetori, Pallati i Rinisë dhe Sporteve, dy me marrëveshje)
  • Palestër të kompletuar për lëndën e fitnessit me të gjitha pajisjet e nevojshme për studentët
  • Palestër të gjimnastikës dhe sporteve luftarake, e cila i përmbush të gjitha standardet për këtë lëmi.
  • Poligonin e jashtëm për sporte të ndryshme siç janë: Tenisi, futbolli, basketbolli, hendbolli, volejbolli si dhe volejbolli në rërë (beach volley).
  • Dy pishina gjysmë olimpike (të shfrytëzuara me marrëveshje)
  • Terrenet e skijimit dhe aktivitetet në natyrë (të shfrytëzuara me marrëveshje)
NrMjetet e punësSasia
1Kompjuter (PC)110
2Llaptop15
3Projektor14
4Skaner5
5Printer15
6Fotokopje5