Presidenti i tanishëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Besim Hasani, ka fituar edhe një mandat për të drejtuar organin më të lartë sportiv në vend, në Asamblenë Zgjedhore të mbajtur më 21 dhjetor 2016 në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë.
Të pranishëm ishin 77 delegatë. Fillimisht unanimisht u miratua Rendi i Ditës. Më pas, me 73 vota për, katër abstenime dhe asnjë kundër u miratua Rregullorja e Punës e Asamblesë së KOK-ut. Me shumicë absolute votash u miratuan edhe pikat tjera të rendit të ditës, përfshirë edhe Pasqyrat Financiare të Audituara deri më 31 tetor 2016 dhe Shqyrtimi i Miratimit të Buxhetit për vitin 2017.
Zgjedhja e organeve ekzekutive të KOK-ut, ishte në pikën 6 të Rendit të Ditës, ku fillimisht u votua për president. Me këtë rast, z.Besim Hasani fitoi me 49 vota, 18 më shumë se kundërkandidati tjetër për president, z.Jeton Beqiri, i cili mori 29 vota.
Hasani u rizgjodh president për mandatin katër-vjeçar 2017-2020. Ai drejton KOK-un që nga viti 1996.
Më pas u votua për nënpresidentët. Z.Memli Krasniqi mori më së shumti vota, 52, për çka u emërua nënpresident i parë. Z.Fadil Vokrri me 41 vota u emërua nënpresident i dytë. Me dy vota më pak (39), z.Shasivar Haxhijaj u emërua nënpresident i tretë, kurse pozita e nënpresidentit të katërt i takoi Gazmend Maxhunit, që mori 36 vota.
Për anëtarë të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, u zgjodhën: Majlinda Kelmendi, nga Komisioni i Sportistëve, Avni Nuha (49 vota), Vjollca Krasniqi (45), Agron Kuka (44), Shqipe Bajçinca (36), Shqipe Zogiani (35), Ramadan Selimi (31), Agron Mala (28), Imer Rama (26) dhe Besire Domaniku (26).
Sipas Rendit të Ditës, Kompania “Balluku & Zhaveli” u zgjodh për Auditor të Jashtëm i KOK-ut, pas votave të të gjithë asambleistëve.
Pas votimit me aklamacion, Komisioni i Arbitrazhit Sportiv do të përbëhet prej nëntë anëtarëve: Eroll Salihu, Bujar Turjaka, Besnik Jashanica, Luljeta Shala, Njazi Berisha, Hasim Rushiti, Fitim Fazlija, Latif Demolli dhe Ymer Berisha.
Me pas u bë edhe zgjedhja e pesë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, Arbër Reçi, Flurim Shala, Teuta Bicaj, Burhanudin Misini dhe Enis Qafleshi, përbërje kjo që u miratua me aklamacion.
Në fund, unanimisht u miratua Plani Strategjik i KOK-ut për Ciklin Olimpik 2017-2020.
BE i KOK-ut për ciklin olimpik 2017-2020
Besim Hasani, president i KOK-ut
Memli Krasniqi, nënpresident i parë
Fadil Vokrri, nënpresident i dytë
Shasivar Haxhijaj, nënpresident i tretë
Gazmend Maxhuni, nënpresident i katërt
Majlinda Kelmendi, anëtare e Bordit
Avni Nuha, anëtar i Bordit
Vjollca Krasniqi, anëtar i Bordit
Agron Kuka, anëtar i Bordit
Shqipe Bajçinca, anëtar i Bordit
Shqipe Zogiani, anëtar i Bordit
Ramadan Selimi, anëtar i Bordit
Agron Mala, anëtar i Bordit
Imer Rama, anëtar i Bordit
Besire Domaniku, anëtare e Bordit