Akademia Olimpike e Kosovës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Akademinë Olimpike të Shqipërisë

Bashkëpunimi i frytshëm mes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar është thelluar edhe më shumë me bashkëpunimin mes dy Akademive Olimpike.

Kësisoj, sot në zyret e KOKSH-it, Akademia Olimpike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

I pranishëm ishte edhe presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, i cili i ka uruar drejtuesit e Akademisë Olimpike të Kosovës, Fitim Arifi dhe Diellza Kelmendi, të cilëve u ka shprehur vullnetin dhe bashkëpunimin e fuqishëm me AO të Shqipërisë

Memorandumi u nënshkrua nga koordinatori për edukim i AO e Kosovës, Fitim Arifi dhe drejtoresha e AO të Shqipërisë, Eda Çaushi.

Marrëveshja midis dy Akademive Olimpike ka një kohëzgjatje dy-vjeçare dhe si pika kryesore e saj ka shkëmbimin e informacioneve midis dy Akademive për zhvillimin e edukimit olimpik, pjesëmarrjen në forume dhe projekte shumëpalëshe me interes të përbashkët, mbështetjen mes dy vendeve në organizimin e konferencave të përbashkëta shkencore, shkëmbimin e materialeve metodologjike ndërmjet dy vendeve.

Ndër të tjera, në këtë memorandum u vendos dhe për realizimin e sesioneve të përbashkëta trajnuese, si dhe për shkëmbimin e materialeve kulturore dhe pedagogjike.