Xhudoja e mbylli me pesë medalje paraqitjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, me një të argjendtë dhe katër të bronzta.
Garat e xhudos u zhvilluan gjatë dy ditëve, ndërsa Laura Fazliu ishte ajo që i solli Kosovës medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë. Fazliu arriti deri në finale, ku u përball me italianen Carlotta Avanzato, ndaj së cilës nuk arriti të triumfojë.
Për Laurën, kjo ishte medalja e dytë në Lojërat Mesdhetare, pas të artës së fituar katër vjet më parë në Oran.
Medalje të bronzta fituan Fatjona Kasapi, Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe Shpati Zekaj. Për Zekajn, kjo ishte medalja e parë në një edicion të Lojërave Mesdhetare.
Në garat e zhvilluara gjatë dy ditëve u paraqit edhe Dardan Cena, i cili pati një paraqitje të mirë në kategorinë e tij. Cena shënoi tri fitore, duke arritur deri në luftën për medaljen e bronztë, por në fund e përfundoi garën në vendin e pestë.
Me pesë medalje, xhudoja ishte ndër sportet që i solli më së shumti medalje Kosovës në Taranto 2026, duke konfirmuar edhe një herë paraqitjen e suksesshme të xhudistëve tanë në arenën mesdhetare.




