Kanë përfunduar takimet koordinuese të institucioneve të përfshira në organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ku në dy ditët e fundit fokus i veçantë iu kushtua prezantimit të Master Planit nga “RC Advisory Group”, kompania përgjegjëse për hartimin strategjik dhe planifikimin e Lojërave.
Gjatë qëndrimit në Durrës të Shqipërisë, “RC Advisory Group” paraqiti vizionin e përgjithshëm të organizimit të Lojërave, konceptin e zhvillimit të impianteve sportive, planifikimin e qyteteve pritëse, etj.
Diskutimet u fokusuan edhe në koordinimin ndërmjet institucioneve, planifikimin e sporteve, strukturën organizative, komunikimin, transportin, akomodimin dhe zhvillimin e garave të lundrimit në Durrës si një nga qytetet mbështetëse të Lojërave.
Të pranishëm ishin drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi e nënpresidenti Milaim Kelmendi, përfaqësues të Komunës së Prishtinës me kryetarin Përparim Rama, përfaqësues të Ministrisë së Sportit dhe Rinisë, që të gjithë këta janë edhe anëtarë të Komitetit Organizativ (OCMG), komisioni koordinues i ICMG për Prishtina 2030, me presidentin Julian Pace Bonello, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, etj.
Në dy ditët e kauara, delegacionet u pritën edhe nga drejtuesit e KOKShit, ministri i Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Blendi Gonxhja, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, si dhe vizituan vendin ku do të zhvillohen garat e lundrimit në Durrës.






