+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

Me aktivitete të shumta, KOK shënoi Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe

KOK në bashkëpunim me Akademinë Olimpike, ka organizuar një sërë aktivitetesh në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, të cilat janë zhvilluar nga 29 marsi deri më 7 prill 2026. Aktivitetet janë mbajtur në disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin dhe Gjakovën, duke përfshirë mbi 2000 pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme.



Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte promovimi i sportit dhe aktivitetit fizik si mjete të rëndësishme për edukim, shëndet, përfshirje sociale dhe zhvillim të të rinjve. Njëkohësisht, përmes këtyre aktiviteteve u promovuan vlerat e barazisë gjinore, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në shoqëri.

Programi i aktiviteteve ka qenë i pasur dhe i larmishëm, duke përfshirë turne sportive në pingpong, volejboll, futsall, basketboll 3×3 dhe padel, si dhe aktivitete në badminton, gjimnastikë dhe paraglajd. Gjithashtu, janë organizuar edhe aktivitete artistike dhe edukative me nxënës dhe studentë, si dhe aktivitete gjithëpërfshirëse me fëmijë me nevoja të veçanta.

Një rëndësi e veçantë i është kushtuar përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve nga nivele të ndryshme arsimore, nga parashkollorët deri te studentët universitarë, duke krijuar hapësira për pjesëmarrje aktive dhe zhvillim të aftësive të tyre fizike dhe sociale përmes sportit.

Paralelisht me aktivitetet fizike, është zhvilluar edhe një kampanjë online në rrjetet sociale, e cila ka nisur më 27 mars dhe ka përfunduar më 6 prill 2026. Në qendër të kësaj kampanje ka qenë #Letra e Bardhë, si simbol i paqes dhe i të drejtave të fëmijëve, duke nxitur pjesëmarrjen në sport dhe edukim përmes përmbajtjeve kreative dhe mesazheve ndërgjegjësuese.

Në kuadër të kampanjës, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të krijojnë video me mesazhe kreative për sportin dhe të drejtat e fëmijëve, ku videot më të mira janë shpërblyer me çmime për vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Gjithashtu, pjesë e aktiviteteve kanë qenë edhe video-mesazhe nga personalitete të njohura të sportit dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët kanë promovuar rëndësinë e sportit dhe përfshirjes aktive të të rinjve në shoqëri.

Përmes këtij organizimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës, Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Akademia Olimpike kanë dëshmuar edhe një herë rolin e rëndësishëm që sporti luan në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme, më gjithëpërfshirëse dhe më paqësore.