+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

Presidentja Osmani dekoroi Hasan Arat me “Medaljen Presidenciale të Meritave”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me “Medaljen Presidenciale të Meritave” Hasan Arat, personalitet i lartë i sportit ndërkombëtar dhe kontribues i madh i sportit kosovar.


Ceremonia e dekorimit u mbajt në zyrën e Presidencës së Republikës së Kosovës, në prani të drejtuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës, me në krye presidentin Ismet Krasniqi, ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, si dhe drejtorin ekzekutiv të BKT Kosova, Suat Bakkal.


Presidentja Osmani theksoi se vendimi për dekorimin e Hasan Arat është bazuar në kontributin e tij të çmuar në sportin ndërkombëtar dhe atë kosovar, si dhe në rolin dhe përkushtimin e tij të veçantë në procesin e kandidimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.



I nderuar me “Medaljen Presidenciale të Meritave”, Hasan Arat u shpreh mirënjohës për këtë vlerësim, duke theksuar se ky nderim ka rëndësi të veçantë për të personalisht, për familjen e tij, për vendin e tij, Turqinë, si dhe për botën e sportit në përgjithësi. Ai shtoi se do të mbetet gjithmonë përkrahës i sportit kosovar në rrugën drejt zhvillimit dhe afirmimit të mëtejmë në arenën ndërkombëtare.


Hasan Arat është biznesmen dhe administrator sportiv nga Turqia, me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa në role udhëheqëse ka shërbyer si anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i Komisionit Koordinues për Lojërat Evropiane Krakov 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e Lojërave Olimpike Tokio 2020, si dhe ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe ANOC. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Botërore të Atletikës, ndërsa gjatë viteve 2023–2024, për më shumë se një vit, ka ushtruar funksionin e presidentit të klubit të njohur turk të futbollit, Beshiktash.