+383 38 222 223 / office@noc-kosovo.org

OCMG prezantoi raportin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së

Në Portimao të Portugalisë po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ku krahas pikave të ndryshme të rendit të ditës, po prezantohen edhe raportet e qyteteve mikpritëse të Lojërave Mesdhetare dhe Lojërave Mesdhetare në Rërë.


Në agjendë ishte edhe prezantimi i Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ku morën pjesë përfaqësuesit e Komitetit Organizativ të LM Prishtina 2030.



Në emër të OCMG-së, anëtari Besim Aliti, njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i KOK-ut, prezantoi anëtarët e OCMG-së si dhe raportin e progresit të deritanishëm, duke përfshirë: Master Planin dhe dokumentet tjera strategjike relevante, ueb-faqen zyrtare, logon (në proces), si dhe proceset tjera përgatitore, të cilat u miratuan nga asambleistët.



Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili theksoi rëndësinë që kanë këto Lojëra për kryeqytetin, duke shprehur gatishmërinë e komunës për organizimin sa më të mirë të këtyre Lojërave.



Master Plani u prezantua nga përfaqësuesi i kompanisë fituese “RC Advisory Group Limited”, Rob Clarke.


Gjatë punimeve të Asamblesë, KOK-u u përfaqësua nga presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm Besim Aliti dhe nënkryetari Milaim Kelmendi.



Në Asamble, u prezantuan edhe raportet e LM Taranto 2026 dhe LMR Portimao dhe Lagoa 2027.