Albion Ymeri kualifikohet për Lojërat Botërore Chengdu 2025

Për herë të parë në histori, Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Botërore (World Games), që do të mbahen nga 7 deri më 17 gusht 2025 në Chengdu të Kinës.


Është sportisti i triatlonit, Albion Ymeri, i cili ka siguruar kualifikimin falë renditjes së tij botërore në disiplinën e duatlonit.


Në “Chengdu 2025” do të garohet në 34 sporte, me pjesëmarrjen e rreth 5,000 sportistëve nga 117 shtete të kualifikuara.


Lojërat Botërore, të njohura si “World Games”, organizohen çdo katër vjet nga Asociacioni Ndërkombëtar i Lojërave Botërore (IWGA).


Këto Lojëra përfshijnë vetëm disiplinat joolimpike, me qëllim promovimin dhe zhvillimin e sporteve që nuk janë pjesë e programit zyrtar të Lojërave Olimpike.