Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i shoqëruar nga drejtori për Marrëdhënie me Komitetet Olimpike Kombëtare, James Macloud, si dhe drejtuesit e Komitetit Olimpik të Evropës, presidenti Spyros Capralos dhe sekretari i përgjithshëm, Raffaele Pagnozzi, kanë vizituar zyret e KOK-ut, me ç’rast u pritën nga presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti.
Vizita e tyre po bëhet në shënim të 10-vjetorit të njohjes së KOK-ut nga Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Pikërisht zyret e reja të KOK-ut ishin mbështetur financiarisht nga Solidariteti Olimpik i IOC, si dhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport.
Presidenti Bach u shpreh i lumtur dhe krenar që Komiteti Olimpik i Kosovës ka bërë një progres kaq të madh, si në aspektin vendorë ashtu edhe në atë ndërkombëtarë, për çka theksoi se “duhet të jeni krenarë”!
I pari i lëvizjes olimpike vlerësoi lart edhe marrjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Nga ana e tij, presidenti Krasniqi, duke falënderuar thellësisht presidentin Bach për mbështetjen e vazhdueshme, theksoi se fjalët e tij dhe kontributi i dhënë në njohjen e KOK-ut nga IOC është motiv shtesë për të punuar fuqishëm drejt sukseseve të reja.
Punën e KOK-ut dhe të arriturat e sportit i vlerësoi edhe i pari i EOC-ut, Spyros Capralos. Palët biseduan edhe për çështje tjera të bashkëpunimit.
Në fund, presidenti Bach i ndau presidentit Krasniqi një dhuratë në formë të medaljes së Lojërave Olimpike Paris 2024.